Tre persona kanë humbur jetën brenda 24 orëve të fundit në tri aksidente trafiku të ndara. Aksidentet fatale kanë ndodhur në Podujevë, Prizren e Klinë. Të dhënat e policisë tregojnë se përveç tri viktimave, të lënduar nëpër aksidente kanë mbetur edhe 25 persona të tjerë,
Sipas policisë të enjten rreth orës 19 e 30 minuta në Podujevë ka ndodhur një aksident trafiku në mes të dy veturave. Si pasojë, lëndime trupore kanë pësuar katër persona dhe të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor. Rreth orës 01:30 e datës 07.07.2023 në QKUK si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë viktima femër kosovare dhe e njëjta me vendim të prokurorit dërgohet në IML për obduksion.
Aksidenti tjetër ka ndodhur rreth orës 10:00 në autostradën “Ibrahim Rugova”, pjesa Suharekë -Prizren, ku një person ka humbur jetën. Njësitë relevante dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes ku është konfirmuar vdekja e viktimës. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion.
Ndërsa aksidenti tjetër me pasoja fatale ka ndodhur mesditën e së enjtes në Klinë, ku treni i linjës Pejë-Prishtinë ka goditur një veturë, ku ngasësi i saj ka humbur jetën. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, në Kosovë janë raportuar të kenë ndodhur 79 aksidente trafiku, prej të cilave tri fatale, 25 me persona të lënduar dhe 51 të tjera me dëme materiale./