Dita e finales së madhe, Argjentina apo Franca do të fitojë Kupën e Botës

Pritjes i erdhi fundi dhe sot do të vendoset kampioni i ri i botës, ku finalja e madhe do të diskutohet mes Argjentinës dhe Francës.

Deri më tani është zhvilluar një kampionat botëror i jashtëzakonshëm me spektakël dhe finalja do ta kurorëzojë atë si një nga botërorët më unik për faktin se u zhvillua edhe në dimër.

Për dy ekipet kombëtaret do të jetë një finale e veçantë, pasi triumfi në të do të thotë se do ta shtojnë nga një yll tjetër në fanellë.

Si Argjentina ashtu edhe Franca kanë nga dy Kupa të Botës të fituara dhe qëllimi është për ta ngritur në qiell kupën e tretë.

Argjentinasit janë në pritje të një suksesi të tillë që 36 vite, pasi hera e fundit kur triumfuan ishte viti i largët 1986, derisa francezët janë kampionët e botës në fuqi, pasi morën në vitin 2018 Kupën e Botës për herë të dytë.

Favorit në finalen e madhe nuk ka, pasi dy skuadrat po cilësohen me gjasa të barabarta për të fituar.

Mungesa e vetme që pritet të jetë te Argjentina është ajo e Papu Gomez i cili po vuan nga një lëndim, derisa te Franca gjendja është me e komplikuar.

Karim Benzema dhe Lucas Hernandz nuk do të luajnë shkaku i lëndimeve derisa në dyshim janë emra si Oliver Giroud, Theo Hernandez, Aurelien Tchoumani e Ibrahima Konate për shkak të lëndimeve dhe virusit që ka kapluar kampin francez.
Polaku Szymon Marciniak do të jetë gjyqtari kryesor i kësaj sfide e cila fillon nga ora 16:00 me kohën tonë lokale. /Telegrafi/