Qyteti që qëndroi më së gjati i izoluar duket se i është rikthyer normalitetit. Qytetarë të shumtë u panë në Klinë këtë të hënë teksa filloi edhe rihapja e bizneseve sipas fazës së dytë nga Ministria e Shëndetësisë.
Ani pse gjendja në këtë qytet po përmirësohet, banorët kanë mendime të ndryshme sa i përket pandemisë.
Por megjithatë, patrullat policore po monitorojnë këto lëvizje të shtuara të banorëve në qendër të qytetit.
E në periferi, atje ku është edhe stacioni i trenave, këtë të hënë rifilloi transporti hekurudhor, por vetëm me dy linja.
Kjo gjithsesi do të bëhet me masa mbrojtëse e parandaluese ndaj infektimit të mundshëm të udhëtarëve me koronavirus.
Gjithë ky lehtësim erdhi si pasi në këtë komunë nuk pati raste të reja me Covid-19 tash e 10 ditë.
Ndonëse me 13 mars virusi u shfaq për herë të parë në Klinë, ka 10 ditë që këtu nuk ka raste aktive.
E tani beteja kryesore do të zhvillohet ndaj dëmeve ekonomike të shkaktuara nga kjo situatë.
Kryetari i kësaj komune, Zenun Elezaj, tregon se veçse kanë formuar komisionin për rimëkëmbje ekonomike.
Ani pse është nga radhët e AAK’së, sipas Elezajt, bashkëpunimi me nivelin qendror në këtë kohë ishte i rregullt.