Ka nisur faza e tretë e lehtësimit të masave kufizuese të vendosura për shkak të situatës me COVID-19. Me vendim të shumëpritur të qeverisë në detyrë, sot janë rihapur kafenetë, baret e restorantet.
Disa sinjalizues kanë raportuar se kanë hasur në rritje të çmimeve të espressove dhe machiatove. Rrjedhimisht, sipas tyre çmimi i espressos në disa kafene është rritur nga 50 cent në 1 euro, ndërsa diku nga 70 cent në 1 euro. Por, për këto rritje e dyfishime të çmimeve, Shoqata e Gastronomëve të Kosovës nuk di gjë dhe nuk ka marrë ndonjë vendim.
Nënkryetari i kësaj shoqate, Fatos Mexhuani ka thënë për Gazetën Sinjali se nuk ka pasur vendim për rritje të çmimeve, ndërsa ka shtuar se mund të ketë pasur rritje për shkak të gotave njëpërdorimëshe.
“Jo bre nuk janë rritë çmimet e kafeve, s’di kush e ka qitë. 1 euro kafeja ka qenë gjithë. Espresso u bë 1 euro me take away, se ajo gota blihet tash dmth. Se gjithë kanë qenë espressot 1 euro, veç tash me gotën, duhesh me ble njëpërdorimëshe ashtu, se njëjtë është. Në shumë vende ka qenë gjithmonë 1 euro, nëpër qendër, shesh e anej… Nëpër disa rrugica ka qenë 70 e 50 e… S’ka kurrfarë vendimi. Secili i ka interesat e veta të ndryshme me produkte. Veç nëse u rritë se gota është tash njëpërdorimëshe, e qata mundet ai secili në vete me bë”, ka thënë Mexhuani.
Ndërsa Veton Zuka, po ashtu nënkryetar i Shoqatës së Gastronomëve e ka arsyetuar rritjen e çmimeve. Ai thotë se ndryshimi i çmimit nga 50 cent në 70 cent nuk mund të konsiderohet rritje, pasi është në nivel të standardit.
“Jo s’ka rritje. Çka ka lidhje me çmime, nuk ka rritje në asnjë produkt. As s’është diskutu ajo punë, bile sa e kam pa unë nuk ka lëvizë asnjë prej kolegëve. Sa e di unë – se sot jemi hapë – por me sa e di unë nuk jemi hapë me rritje të çmimeve. Nuk ma merr menja që ka pasë ndryshime, veç nëse dikush i ka pasë 50 cent e i ka bë 70 cent, e nuk është ajo rritje, është njëfarë normaliteti. Përndryshe, rritje mundet me qenë vetëm nëse e bën prej 1 eurove 1 euro e 20, ose espresson me bë prej 70-ve 1 euro. Ajo mundet me u llogaritë si rritje, përndryshe prej 50 centëve në 70 cent nuk mundet me u llogaritë rritje se është standard normal me qenë 70 cent espressoja. Së paku ka qenë çmim edhe më herët”, ka thënë ai për Gazetën Sinjali.
Ai thotë se çmimet e kafeve dhe produkteve tjera të kafeneve e bareve varen edhe nga pozicioni ku gjendet lokali, por edhe nga qiraja që paguhet. Zuka shton se tregu nuk e lejon përcaktimin e një çmimi të njëjtë për të gjitha kafenetë.
“Kjo varet edhe prej pozicionit të lokalit se ku gjendet. Dikush e ka qiranë 5 mijë euro, mundet me 50 cent me punu; dikush e ka 1 mijë euro, s’mundet me punu me 50 cent. Qashtu variojnë. Përndryshe, diçka zyrtare, ndonjë marrëveshje diçka nuk ka, nuk mundemi edhe me bë se është çështje e tregut të lirë që gjithkush i ka shpenzimet e veta, e nuk mundemi me ia caktu çmimin kurrkujt”, ka thënë ai. “Se shumë varet edhe nga qiraja, se qiratë kryesisht ta imponojnë pak edhe çmimin e produkteve, cilido produkt që është, pa marrë parasyshë a është kafja a ndonjë bukë apo çkado tjetër. Kështu që nuk ka lëvizje, veç që në personale dikush.. Është çështje edhe e interesit tash, qysh t’i del matematika”, është shprehur Zuka.
Përpara se të merrej vendimi për hapjen e kafeneve e restoranteve, gastronomët janë ankuar se kjo po vonohet, dhe vendimi i shtyer do të ndikojë edhe më drastikisht në krizën e këtyre bizneseve, që kanë qëndruar të mbylluara për më shumë se de muaj.