Diplomacia e Dështuar e Kosoves
Për pak ditë Kosova feston tetëvjetorin e shpalljes së Pavarësisë, por vazhdon të ketë probleme në funksionimin e shtetit. Pikërisht me shpalljen e pavarësisë Kosova themeloi edhe diplomacinë e saj, përmes së cilës synonte afirmimin e shtetit më të ri në Evropë, por që doli të jetë e kundërta. Diplomacia e Kosovës dështoi ta bëjë këtë, madje shkaktoi skandale e renditi dështime të njëpasnjëshme
Skandalet e shumta, emërimet politike, joprofesionale, mungesa e llogaridhënies janë fjalët që përshkruajnë diplomacinë kosovare që prej themelimit të saj, kur edhe Kosova shpalli pavarësinë e saj. Gjatë kësaj kohe të shkurtër që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, jo pak herë diplomacia vendore ka qenë lajm në mediet botërore herë për dështime e herë për skandale. Së fundi ishte mosanëtarësimi i Kosovës në UNESCO, dështim që u vlerësua si më i madhi, duke konstatuar problemet e shumta në diplomacinë e re të Kosovës.
Duke vlerësuar funksionimin e diplomacisë kosovare prej shpalljes së pavarësisë, opozita, profesorë universitarë e njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se Kosova dështoi të themelojë një diplomaci të fuqishme, profesionale, llogaridhënëse. E, në anën tjetër, zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje. Madje, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, edhe pse i kërkoi pyetjet, ai nuk u përgjigj për “Zërin”, ndonëse konfirmonte se do të përgjigjej.
Tetë vjet dështim
Për tetë vjetët e saj që prej themelimit diplomacia kosovare nuk arriti ta përmbushë misionin që ka. Deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Puhie Demaku, thotë për “Zërin” se njohjet e shteteve të fuqishme kanë ardhur duke u zbehur çdo vit e më shumë, derisa Republikës së Kosovës ia ngjitën fusnotën dhe ia nënshtruan sërish Serbisë. “Për këto 8 vjet në vend se ta ndërtojnë një shërbim të jashtëm profesional, e mbushën atë me militantë, dajallarë e kushërinj. Për këto 8 vjet diplomacia e Kosovës i dha integrim Serbisë e izolim Kosovës. Në këtë kuptim nëse duhemi të jemi krejtësisht të sinqertë dhe ta pranojmë se diplomaci në kuptimin e mirëfilltë të fjalës nuk ka pasur. Përkundrazi, kemi pasur veprime ‘ad hoc’ e pa vizion, që shpesh na kanë rezultuar në skandale”, ka thënë Demaku, duke shtuar se në të shumtën e rasteve ka pasur personazhe të shumtë që janë deklaruar apo paguar për t’u marrë me diplomaci e të cilët as idenë më të vogël nuk e kanë as nuk e kanë pasur se çfarë po bëjnë, prej Skënder Hysenit e deri të Hashim Thaçi. “Pra në total, as vizion e as strategji për diplomaci e për t’i vënë kapak ua besuan njerëzve pa pikë përvoje e profesionalizmi. Për këto 8 vjet nuk arritën as konsolidim të shtetësisë, as anëtarësime të nevojshme nëpër organizata ndërkombëtare, as në bashkëpunim rajonal serioz, e madje as numrin e nevojshëm të njohjeve”, ka theksuar ajo. Ndodhi e kundërta, e gjymtuan sovranitetin, e copëtuan territorin dhe e cunguan subjektivitetin.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Afrim Hoti, thekson se qyshkur është themeluar diplomacia kosovare është filluar mbrapsht. “Mendoj se diplomacia, ndonëse do të duhej të ishte përjashtim, nuk ka qenë e ndarë nga trendi negativ i qeverisjes në vend. Ka filluar së mbrapshti në kohën e formimit të shërbimit të jashtëm të Kosovës në vija profesionale, gjithçka tjetër”, ka thënë Hoti për “Zërin”. Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arben Fetoshi, thekson se diplomacia e Kosovës që nga themelimi është karakterizuar me problemet, sfidat dhe ngecjet që reflektojnë vetë procesin e shtetndërtimit. “Nëse i referohemi misionit që ka diplomacia sot në vendet demokratike dhe nevojës për një efikasitet maksimal të misioneve tona nëpër botë në kuptim të njohjes e të bindjes investive, diplomacia e Kosovës ka dështuar. E në qoftë se këtë e matim me rëndësinë dhe nevojën për një diplomaci të matur, të zellshme e kredibile në funksion të shtetndërtimit, atëherë del se kemi të bëjmë me deformim që e tejkalon konceptin e dështimit”, ka deklaruar Fetoshi për “Zërin”.
Diplomacia u përcoll për tetë vjet me skandale
Për këto tetë vjet diplomacia e Kosovës pati një numër të skandaleve, të cilët jo pak kanë zënë vend edhe në mediet botërore. Për profesorin Afrim Hoti, skandalet kanë qenë përditshmëri e diplomacisë kosovare. “Skandalet dhe dështimet kanë qenë përditshmëri, ndonëse ajo që më së shumti dhemb është çështja se si kemi mundur aq pak, për të mos thënë fare, ta shfrytëzojmë opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare për ta forcuar imazhin ndërkombëtar të vendit. Jogatishmëria për të aplikuar për anëtarësim në organizata ndërkombëtare ka qenë po ashtu skandali i radhës”, ka thënë Hoti. Sipas tij, skandalet tjera pothuajse kanë marrë formë dhe janë strukturuar në politikën tonë të jashtme. Ndërsa, deputetja Demaku thotë se janë aq të shumta skandalet, saqë është vështirë të numërohen. “Skandale ka pasur mjaft, duke filluar nga ato në Shërbimin e Jashtëm, ku nëpunës të këtij Shërbimi kanë bërë veprime jokorrekte, e deri të skandalet ku janë premtuar rrejshëm njohje (si njohja nga pesë vendet e BE-së) e anëtarësime (siç ishte ky i fundit në UNESCO) e ku ndodhi e kundërta”, ka shtuar Demaku.
Për dështimet dhe skandalet duhet të jepet përgjegjësi
Mirëpo, edhe pse diplomacia kosovare nuk dha rezultate asnjëherë, madje pati vetëm
dështime dhe skandale, deri më tani askush nuk ka dhënë përgjegjësi për këtë. Edhe pas skandalit të diplomatit Urak Hamiti, në Kroaci, askush nuk dha dorëheqje e as përgjegjësi për këtë. Madje, edhe dështimi më i ri mosanëtarësimit në UNESCO nuk mori përgjegjësi askush e që në krye të diplomacisë ishte ish-kryeministri, Hashim Thaçi. E, për dështimet dhe skandalet deputetja e VV-së, Puhie Demaku, thekson se përpos ministrit përgjegjës është edhe kryeministri që do të duhej të jepnin përgjegjësi për skandalet dhe dështimet. “Natyrisht përveç ministrit, që e udhëheq këtë dikaster, përgjegjësinë kryesore e ka kryeministri. Duke qenë se kryeministër më se gjati ka qenë Hashim Thaçi e tash ai është ministër i Jashtëm besoj që Thaçi me Mustafën do të duhej që bashkërisht për këtë dhe për shumë arsye të tjera të jepnin përgjegjësi dhe të largoheshin”, ka thënë ajo. Ndërsa, për profesor Hotin minimumi i logjikës demokratike nënkupton mbajtjen përgjegjës të njerëzve për të bëmat dhe të pabëmat e tyre. Madje Hoti konstaton se përgjegjësia në politikën e jashtme në Kosovë nuk ekziston. “Mjafton vetëm të përmendet rasti i vënies në lajthitje të kryeministrit të vendit kur deklaron në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, si forumi më i lartë botëror që një vend i caktuar ka njohur Kosovën, dhe shumë shkurt marrim demantin nga vendi në fjalë që thekson se asnjëherë ky vend nuk e ka njohur Kosovën dhe në strukturën dhe funksionalitetin e politikës sonë të jashtme nuk ka asnjë përgjegjësi”, thotë Hoti, sipas të cilit ky është rast non-sens dhe argument i fuqishëm që politika e jashtme nuk njeh institucionin e përgjegjësisë. Edhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arben Fetoshi, thekson se Kosova vuan nga mungesa e llogaridhënies politike dhe e reflektimit moral. “Madje, edhe në përgjegjësinë penale kemi ndërhyrje në forma të ndryshme të politikës dhe ky është dështimi më i madh për mendimin tim”, thotë Fetoshi, duke kujtuar deklaratën e ambasadorit të SHBA-së, Greg Delawie, se Kosova ndodhet “buzë humnerës”, e cila tregon qartë papërgjegjësinë e politikanëve kosovarë