Dijet albanologjike si subjekt i përvojës njohëse të vetes sonë

Epoka e globalizimit liberal, e ideologjisë së mulitkulturalizmit (ideja e kombit kosovar), pikëpamjet trans-humaniste e, më në fund, edhe neootomanizmi (shënjues identifikues i të cilit mund të merret cenimi i figurës së Skënderbeut si “bukëshkalë i Sulltanit”), përbën një sfidë të re për qëndrueshmërinë e strukturës të të qenit të qenies kombëtare shqiptare, pra të vetes sonë me gjithë përbërësit e saj
Hyrje

Çështja e vendosjes së raportit të qartë e të shëndoshë midis ndërgjegjes dhe dijes është një faktor i rëndësishëm reflektimi jo vetëm për përcaktim e kuptim të gjendjes sonë mendore në raport me të kaluarën, por edhe një detyrë për ta përballuar të ardhmen, me kontekstet e reja e të papritura që ajo krijon për veten tonë në marrëdhënie me të tjetër dhe me botë.

Si ta rimendojmë veten dhe marrëdhënien e saj me të tjerët në kontekstin e globalizimit liberal, (si humus i ri e dinamik i marrëdhënies sonë me të tjerët); si ta rimendojmë veten në kontekstin e ideologjisë së multikulturalizmit?

Cili duhet të jetë pozicioni i albanologjisë, si dije, përballë pikëpamjeve trans-humaniste dhe luftërave midis paradigmave njohëse për hegjemoni, si parakusht për vendosje të kontrollit politik?

Pse na duhen dijet albanologjike sot?

Shqyrtimin e këtyre pyetjeve këtu e bëjmë në dy rrafshe: në rrafshin e filozofisë së mendjes dhe në rrafshin epistemologjik. Në rrafshin e parë, do të përqendrohemi në gjendjen aktuale të dijeve albanologjike, si subjekt i përvojës mendimore njohëse që ajo krijon në raport me veten tonë dhe për ndërtimin e marrëdhënies me të tjerët dhe botën. Ndërkaq, në rrafshin epistemologjik, do t’i veçojmë tiparet esenciale të fenomenit të ngërçeve konceptuale që i karakterizojnë dijet e sotme albanologjike.

Dijet represive dhe dijet produktive albanologjike

Gjatë historisë së zhvillimit të qytetërimit njerëzor, dija është përpjekur të japë shpjegime dhe ta interpretojë natyrën e njeriut, marrëdhënien e tij me veten, me të tjerët dhe me botën. Kultura të ndryshme në periudha të ndryshme kohore dijes i kanë dhënë funksione të ndryshme. Për kulturën e lashtë greke, dija nuk ishte mjet për zotërimin e botës, por për zotërimin e kuptimit të saj dhe të krijimit të një pozicioni përshtatës të njeriut në raport me të. Në të menduarit helen objekti i njohës dhe subjekti njohës nuk ishin në marrëdhënie përplasjeje, por përshtatjeje. Është Dekarti ai që, me konceptin e ndarjes së Substancës në dy substanca: substancën materiale dhe atë mendore (shpirtërore); në qytetërimin perëndimor do ta sjellë idenë e përveçimit midis subjekti njohës dhe objektit të njohjes duke i dhënë primatin në njohje subjektit. Parimi dekartian “cogito, ergo sum” do të bëjë që njeriu të ngrihet në rangun e një qenieje absolute dhe të gjithëfuqishme. Aspiratën e të qenit të njeriut subjekt sovran dhe i gjithëpushtetshëm në botë, Bekoni do ta shtyjë më tej me parimin e tij se “dija është fuqi”. Me Bekonin, njohja nuk konceptohet si një instrument për përshtatje, por për sundim dhe kontroll. Tanimë dija nuk është vetëm një kusht i të qenit, por edhe mundësi e madhe e të bërit. Ta bësh veten përmes dijes, është detyrë e mendjes që ta mendoj veten tonë në procesin e të kuptuarit të marrëdhënies me të tjerët dhe me botën. Detyra e mendjes është që t’i zbulojë gjendjet, të kundërtat në unitetin e tyre, të përcaktojë vlerat dhe qëllimet që i japin orientim vetes sonë brenda konteksteve të ndryshme historike, gjeopolitike, sociale, ekonomike, kulturore, etike e estetike.

Mendja është aftësia supreme hermeneutike e të të kuptuarit, në radhë të parë dhe mbi të gjitha, të vetes sonë. Nëse hermeneutika klasike, mes shumësisë së kuptimeve përjashtuese ndaj njëra tjetrës, kishte për qëllim stabilizimin e kuptimit të mesazhit të dërguar nga Zoti, hermeneutika albanologjike sot duhet të jetë në funksion të krijimit të unitetit mes përfytyrimeve të kundërta për veten tonë, të cilat imponohen nga raporte të ndryshme forcash pushtetore. Asnjë dije – thotë Fuko – nuk formohet pa një sistem të komunikimit, i cili në vetvete është një formë e pushtetit që me ekzistencën dhe funksionimin e vet është i lidhur me forma të tjera të pushtetit. Epoka e globalizimit liberal, e ideologjisë së mulitkulturalizmit (ideja e kombit kosovar), pikëpamjet trans-humaniste e, më në fund, edhe neootomanizmi (shënjues identifikues i të cilit mund të merret cenimi i figurës së Skënderbeut si “bukëshkalë i Sulltanit”), përbën një sfidë të re për qëndrueshmërinë e strukturës të të qenit të qenies kombëtare shqiptare, pra të vetes sonë me gjithë përbërësit e saj: përfytyrimet, qëllimshmërinë dhe efektet (Cornelius Castoriadis).

Dija, sipas Niçes, është mjet për të vendosur kontroll ndaj diçkaje, pra është pushtet. Dija dhe pushteti janë në raporte korelative. Pushteti në raport me dijen duke prodhuar të vërtetën, e mundëson një mënyrë të caktuar të të vështruarit. Në një kontekst të zgjeruar përplasjesh mes forcave të ndryshme pushtetore për kontroll të mendjes, e kjo do të thotë mes forcave diturore represive, dijet albanologjike janë vendosur në një situatë të paqëndrueshme. Dija represive, përkundër pushtetit politik represiv, i cili është i identifikueshëm, përbën një pushtet amorf, i cili shprehjen e vet e gjen në një raport forcash pushtetore dhe përmes tyre. Dallimi midis dijeve represive dhe dijeve produktive albanologjike nuk ndërlidhet me metodologjitë e zbatuara, por me qëllimet e tyre. Dijet produktive albanologjike, të pandara nga ideja e lirisë, synojnë bërjen e vetes sonë si “Qenie për vetveten” (Sartëri), ekzistenca e së cilës, përmes lirisë dhe së drejtës për vetidentifikim dhe të qenit identifikuese në ekzistencën e vet, e krijon kuptimin për esencën e vet nga vetvetja. Dijet represive albanologjike veprojnë sipas modelit të “Qenies në vete”, esenca e së cilës përcaktohet nga forca pushtetore jashtë saj. “Ne arrijmë në sensin e fjalës “mendoj” – thotë Hajdegeri – vetëm kur mendojmë veten tonë”. Thelbi i lirisë dhe thelbi i së vërtetës, shprehur me terminologji hajdegeriane – në kontekstin e dijeve produktive albanologjike – janë një ekspozim ndaj zbulimit të qenies kombëtare shqiptare. Përpjekjet mendimore në dijet represive albanologjike për mohimin e luftërave të shqiptarëve për liri kundër pushtimit të Perandorisë Osmane, ashtu sikur edhe minimizimi që i bëhet sot deri në mohim të rëndësisë së Luftës së UÇK-së kudër pushtimit kolonial jugosllav, janë manifestimi më agresiv për vendosje të kontrollit dituror mbi përfytyrimet, qëllimshmërinë dhe efektet e popullit shqiptar në histori. Në fakt, fillimisht, për dehumanizimin, e më pas për zhvleftësimin e rolit të tij në histori.

Ndërhyrjet që ndodhin në këtë fillim të mileniumit të ri për dhe kundrejt tërësisë së përfytyrimeve, si përbërës dhe dimension i vetes sonë, janë ndërhyrje që e cenojnë rëndë aftësinë identifikuese të mendjes sonë për të kaluarën dhe të ardhmen tonë. Pozicionimi ndaj personave e ngjarjeve të caktuara në histori bazohet në një dispozicion të caktuar forcash për të ndërtuar apo imponuar një identitet të caktuar dhe një orientim të ri të aftësive për vetëperceptim dhe vetidentifikim. Dijet albanologjike produktive janë forca më efikase rezistuese ndaj dijeve represive, të cilat për synim e kanë paaftësimin e fuqive vetidentifikuese të mendjes sonë për veten tonë.

Në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, albanologjia do të jetë mjeti për legjitimimin e shpalljes së ekzistencës së kombit shqiptar në botë. Pra, shpalljen e të qenit të kombit shqiptar në botë përballë ekzistencës së të tjerëve. Sot dijet albanologjike kanë misionin e përligjjes së aktit të bërjes së kombit shqiptar në botë në dhe përmes ndërveprimit me të tjerët. Shprehur me termat e ontologjisë fondamentale të Hajdegerit, mund të themi se dijet albanologjike sot mund të shërbejnë si një instrument i pazëvendësueshëm për kalimin nga faza e shpalljes të të qenit kundrejt dhe përballë të tjerëve në botë në fazën e të bashkëqenësuarit me të tjerët dhe botën.

Struktura e paqëndrueshme e moralitetit të interesave njohëse

Në këtë milenium të ri, dijet albanologjike janë gjendur në situatën e përplasjes mes dimensionit të “një përfundimi” të një paradigme të të menduarit për rendin e gjërave dhe “problemit” të një fillimi të ri, i cili kërkon një konstruksion të ri mendor për përcaktimin e gjendjes së qenies kombëtare shqiptare brenda rendit të ri të gjërave në botë. Këtë “fillim të ri”, dijet albanologjike, që nga rënia e murit të Berlinit, kanë bërë përpjekje ta “kuptojnë” përmes përdorimit të aftësive të arsyes (në rastet e shumta asaj instrumentale) e jo të mendjes, specialiteti i së cilës është përcaktimi i parimeve, orientimeve, qëllimeve dhe vlerave. Në dije e sotme albanologjike vetja trajtohet në aktualitetin e pjesëve të saj, por jo në potencialitetin e qëllimshmërisë së atyre pjesëve për formimin e të tërës shqiptare. Me përfytyrimet për veten si pjesë të veçuar nga pjesët e tjera, sot në dijet albanologjike flitet për konceptin e një gjuhë letrare kosovarishte, për konceptin e një historie të Kosovës, për konceptin e një histori të letërsisë së Kosovës, e kështu me radhë. Këto koncepte, të cilat bazohen në aktualitetin e pjesës, janë të paqëndrueshme teorikisht dhe metodologjikisht.

Ideja për veten është përbërësi i strukturës deontike të mendimit në dijet albanologjike. Është kjo ide ajo që e përcakton moralitetin e interesit njohës dhe, anasjelltas, moraliteti i interesit njohës e përcakton karakterin e idesë për veten tonë me gjithë dimensionet e saj: të përfytyrimeve, qëllimshmërisë dhe efekteve. Shtrembërimi, për të mos thënë mungesa, e idesë për veten në mendim, si mungesë e idesë për thelbin e të vërtetës dhe idesë për thelbin e lirisë, në dijet albanologjike prodhon gjendje entropie në aftësitë për identifikimin e interesave të vërteta njohëse. Paqartësia në të menduarit për interesat njohëse, si në një rreth të mbyllur, do të prodhojë paqartësi në zgjedhjen edhe përdorimin adekuat të koncepteve teorike e metodike; paqartësia për konceptet teorike e metodike do të prodhojë gjendje entropie në aftësitë për përkufizimin e interesave njohëse; dhe, krejt në fund, entropia e interesave njohëse në dijet albanologjike vetëdijen për idenë ndaj vetes do ta shpije në gjendje entropie.

Për shkak se do të udhëhiqen nga arsyeja instrumentale, dijet albanologjike interesin njohës (partikularist) do ta përqendrojnë në metodat e teoritë, e jo në diversitetin dhe kompleksitetin e cilësive të reja të vetë objektit të njohjes, të cilat janë shfaqur nën dritën kontekstit të ri njohës. Duke e përjashtuar objektin problemor, sot dijet albanologjike vazhdojnë të sillen brenda hipotezave dhe argumenteve të shteruara që në vitet ‘70 e ‘80 të shekullit që lamë pas, por duke i kamufluar ato me terma e nocione të reja. Mungesa e vullnetit të mendjes për t’u përballur me probleme, të cilat i japin dimension të ri vleror e orientimor kuptimit të totalitetit të qenies shqiptare, synohet të tejkalohet me kuazi-probleme e kuazi-tema, të cilat, dijet albanologjike përpos që i vendosin në kushtet e prodhimit serik (e jo krijues), ato i pamundësojnë deri në refuzim fuqitë krijuese shkencore. Për shkak të aftësive të munguara krijuese shkencore, sot në dijet albanologjike kemi një raport të zhdrejtë midis sasisë së madhe të teorive e metodave të zbatuara dhe vëllimit të ulët të problemeve të zgjidhura, të atyre problemeve zgjidhja e të cilave do të ndihmonte në përcaktimin dhe në të kuptuarit e asaj se çfarë është e rëndësishme dhe vlefshme për bërjen dhe të qenësuarit e qenies kombëtare shqiptare në botë.

Përshkrimi empirik e mekanik i teorive dhe metodave do të jetë një nga teknologjitë kërkimore për mbulimin e mungesës së vullnetit që e angazhon mendjen, si aftësi supreme për përcaktimin e kuptimeve për kontradiktat dhe kundërthëniet e gjendjeve të vetes sonë karshi problemeve të reja të shfaqura. Të pavullnetshme për t’u përballur me probleme, dijet albanologjike e kanë abstraktuar mendimin, në thelb të së cilit do të vihej vullneti i të kuptuarit të vetes sonë. Pra, veten tonë e kemi pezulluar nga mendimi dhe të menduarit. Paaftësinë e të menduarit reflektues kritik, dijet albanologjike përpiqen ta mbulojnë me trajtime përshkruese empirike, qoftë të fakteve qoftë të teorive. Pa një kuadër parimesh të të menduarit reflektues kritik, dijet albanologjike, si subjekt i përvojës njohëse të vetes sonë, përpos jo koherente në gjykime (glorifikuese), do të bëhen tejet të cenueshme dhe të paqëndrueshme në argumente dhe konkluzione përballë dhe në raport me forcat tjera pushtetore.

Përjashtimi i mendimit, dijet albanologjike i ka bërë të oscilojnë mes dy pozicioneve ekstreme: a) në kohën e raketave bërthamore, ato, në njërën anë, zgjedhin të ngujohen në Kështjellën e Krujës duke synuar mbrojtjen me çdo kusht të qëndrimit glorifikues për veten tonë; ndërsa nga ana tjetër, duke qenë të vetëdijshme se Kështjella e Krujës, si monument historik-turistik nuk mund të shërbejë më për mbrojtje, b) lëshohen proceseve tretëse në universin e globalizimit liberal. Në rastin e parë, dijet albanologjike bazohen në konceptin e gjenealogjisë tradicionale, i cili e glorifikon rëndësinë e origjinës së objektit njohës; ndërsa në rastin e dytë, ato bazohen në konceptin ultramodern të gjenealogjisë, i cili e abstrakton vetë objektin njohës si një entitet që bie në domenin e universalizmit abstrakt.

Përfytyrimet, si përbërëse të aftësive identifikuese dhe identitare të vetes sonë si komb, në dijet e sotme albanologjike, si subjekt i përvojës mendimore njohëse, përmes paradigmën së gjeneaologjisë tradicionale, vazhdojnë të ndriçohen dhe të kuptimësohen duke kërkuar lidhjen mes shkaqeve dhe efekteve të tyre në të sotmen, forca tërheqëse e të cilave është qëllimi tashmë i dhënë në histori dhe që pret momentin e vetërealizimit. Këtu parimi i domosdoshmërisë është ligj, rastësia nuk mendohet as si mundësi. Paradigma e gjeneaologjisë tradicionale në thelbin e vet bazohet në pikëpamjen biologjiste për ekzistencën si dhe në pikëpamjen e determinizmit mekanicist teleologjik. Përmes saj, dijet albanologjike vazhdojnë përpjekjen për të shpjeguar origjinën si dhe aftësinë e popullit shqiptar për mbijetesë në histori. Një paradigmë e tillë, duke përfshirë jo rrallë edhe përbërës të të menduarit mitik, gjatë Rilindjes sonë Kombëtare ishte tejet efikase për shpalljen e të qenit tonë komb karshi tjetrit të ndryshëm nga ne. Në kontekstin e nevojës së të qenësuarit tonë në botë, të bërjes dhe zhvillimit tonë si komb; në kontekstin e ri – jo të diferencimit nga tjetri në botë, por të nevojës për ndërveprim me të tjerët në botë – një paradigmë e tillë, si orientim i energjive mendimore, sot është kufizuese dhe penguese për mundësitë e mendjes sonë për ta menduar totalitetin e vetes sonë në të, për të menduarit e marrëdhënies me veten tonë dhe të mundësive të marrëdhënies me të tjetër dhe me botën. Produktet e dijeve albanologjike sot, të cilat bazohen në vizionet partikulariste epistemologjike si dhe në paradigmën e gjenealogjisë tradicionale, qartazi pasqyrohen në praktikën e të menduarit dhe të vepruarit politik: kemi marrëveshje të përbashkëta tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës, por jo edhe politikë të jashtme unike të shqiptarëve në Ballkan. Si pasojë e ngulitjes në strukturat tona të të menduarit të vizioneve epistemologjike partikulariste dhe të paradigmës së gjenealogjisë tradicionale, paaftësinë për ndërveprim me të tjerët e kemi përkthyer në aftësi për diferencim të pjesëve që e përbëjnë tërësinë e vetes sonë si komb.

Përfundim

Si dije që duhet ta përcaktojnë dhe vlerësojnë veten tonë në marrëdhënie me të tjerët dhe botën, albanologjia e sotme këtë marrëdhënie e koncepton në mënyrë asimetrike njëkahëshe: tjetri është parësor për formësimin e vetes sonë, e kjo do të thotë se vetja jonë në procesin e të qenësuarit në botë, konceptohet si joqenie e qenies së tjetrit. Determinant i ekzistencës, i të qenësuarit, i lirisë dhe i të vërtetave për përfytyrimet e vetes sonë, është Tjetri: perandoria austro-hungareze, Jugosllavia e Titos, perëndimi liberal e, tash së fundmi, shumë, shumë më zëshëm, na imponohet ideja se prodhues i të vërtetave valide për përfytyrimet e vetes sonë në histori është perandoria otomane. Në të vërtetë, kjo dije (nëse mund të quhet kështu!) mund të jetë çdo gjë tjetër përpos albanologji. Tashmë një mënyrë e tillë e orientimit të dijeve albanologjike nuk është e karakterit individual, por strukturor, e cila është etabluar gjithandej brenda institucioneve tona shkencore albanologjike, duke përfshirë këtu edhe Institutin Albanologjik.

Moraliteti i interesave njohëse në dijet albanologjike, në kontekstin e ri të globalizimit liberal – që të mos jenë vetëm imazh i shpirtit të kombit, por manifestim i një shpirti në veprim për vetëndërtim, rritjeje e zhvillim në ndërveprim me të tjerët dhe në botë – përpos që duhet të vihet në funksion të ripërkufizimit të vetes mbi kriterin e potencialitetit të pjesëve dhe marrëdhënieve të tyre brenda tërësisë së saj, njëkohësisht, në rrafshin epistemologjik, duhet të rrisë kapacitetit e mendjes sonë shkencore për t’u liruar nga paradigmat prapakthyese të neopozitivizmit natyralist, ashtu sikur që edhe kthimin kah trajtimet imanentiste të mos e konceptojë si shmangie të mirëqenë ndaj paradigmave të tilla prapakthyese