Mbrëmjen e së shtunës, në fshatin Bubavec të Malishevës është përfshirë nga flakët shtëpia e një banori, e cila pothuajse është bërë shkrumb e hi. Shkaktarët e zjarrit akoma nuk dihen, por për rastin tashmë kanë nisur hetimet,
Sinjalizuesit e Sinjalit bëjnë me dije se si pasojë e zjarrit ka vetëm dëme materiale dhe fatmirësisht nuk ka persona të lënduar.
Zjarri që përfshiu shtëpinë dykatëshe u shua pas orës 21:00, pasi në vendin e ngjarjes dolën të gjitha njësitë përkatëse, me ç’rast u shkyç edhe energjia elektrike.
Pronari i shtëpisë, një 37-vjeçar, ka dhënë deklaratë para zyrtarëve policorë, ku ka deklaruar se nuk i di shkaqet që kanë çuar deri te zjarri që kaploi shtëpinë e tij dhe as vlerën e dëmit të shkaktuar.
Përveç Policisë dhe njësiteve të Zjarrfikësve, Sinjali mëson se së shpejti pritet të dalin në vendin e ngjarjes edhe ekspertët, në mënyrë që të zbardhen rrethanat se si erdhi deri te zjarri.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se ajo që dihet deri më tani është se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve për rastin e iniciuar si “Incident zjarri”.