Dibra Fylli Nga ditari i luftës AKADEMIA E PARË USHTARAKE E UÇK-së Açarevë, 22 Prill 1998

Nga ditari i luftës
AKADEMIA E PARË USHTARAKE E UÇK-së
Açarevë, 22 Prill 1998

Duke e ndier të nevojshme dhe të arsyeshme, Bekim Berisha bashkë me Kadri Hamitin, Sylejman Selimin e udhëheqës tjerë ushtarak të UÇK-së filluan t’i grumbullojnë ushtarët luftëtar që ishin të dëgjueshëm, të përgatitur, të sjellshëm e të rinj për të filluar ushtrimet profesionale ushtarake teorike e praktike. Kështu më 18 mars 1998 në Açarevë të Drenicës filloi punën Akademia e parë Ushtarake e udhëhequr nga Bekim Berisha, strateg dhe luftëtar i rryer i luftërave çlirimtare në të gjitha luftërat e ish Jugosllavisë, dhe më 22 prill 1998, nga kjo Akademi dolën kadetët e parë të Akademisë ushtarake të UÇK-së.
Kur Bekim Berisha-ABEJA propozonte, Komandant Sylejman Selimi-SULLTANI gjithmonë i mirëpriste propozimet, duke i zbatuar praktikisht. Këta luftëtar me përvojë ishin çdoherë në përkrahje të komandantëve, deri sa çdo ushtar i Njësitit “Shkoza” dhe komandanti i tyre, i respektonin dhe e çmonin punën e tyre, i konsideronin bashkëluftëtar, shokë e së fundi ishin të lidhur si vëllezër të një gjaku.
Në mëngjesin e datës 18 mars 1998, ishte bërë regjistri i disa ushtarëve të Njësitit “Shkoza”, të gjithë të rinj, të dëgjueshëm dhe me plot energji. Kjo punë ndodhi, filloi së pari me ndërtimin e poligonit, duke mos i përjashtuar as ushtrimet teorike që mbaheshin çdo ditë në shkollën e fshatit.
Puna zhvillohej sipas planit dhe programit të propozuar nga Bekim Berisha dhe të aprovuar nga Sylejman Selimi. ABEJA ishte i kënaqur me ecurinë e ushtrimeve, edhe pse në ndonjë rast i nervozuar, por përfundimisht puna shkonte sipas planit dhe ushtrimet teorike e praktike po shkonin sipas parashikimeve të Bekimit, Sylejmanit e të Kadriut.
Udhëheqës i këtyre kadetëve u emërua Hysni Shabani, i cili gjatë krejt kohës ishte përkrah Kadri Hamitit, derisa më vonë u gradua me gradën Kapiten.
Pas ushtrimeve disa ditore dhe teorisë mujore, erdhi dita kur këta kadet të parë të Akademisë ushtarake të UÇK-së përfunduan edhe ushtrimet e fundit.
Meqë ishin bërë të gjitha përgatitjet e duhura për ngritjen e flamurit para Njësive të rregullta të UÇK-së, po atë ditë u graduan kadetët e parë të kësaj Akademie dhe u themelua Brigada 111, Njësia Speciale, e cila u emërua me emrin e Kryekomandantit “Adem Jashari” dhe në udhëheqje të saj Komandant Sylejman Selimi.
Në këtë tubim ceremonial, edhe pse në gjendje lufte, morën pjesë pothuajse të gjithë Komandantët e UÇK-së si; Komandant Fehmi Lladrofci, i cili me bashkëshorten e bashkëluftëtaren Xhevë Lladrofci e ngritën flamurin, pastaj Sami Lushtaku, Rexhep Selimi, Fatmir Limaj, Xhavit Nura, Gani Thaqi, Musa e Sahit Jashari, Ilaz Dërguti, Zenë Prokshi, Jakup Nura, Ilaz Kodra etj. Major Kadri Hamiti-CD-eja, i raportoi Komandant Sylejman Selimit, derisa të rreshtuar para tyre ishin kadetët e rinj të përgatitur ushtarakisht në mënyrë profesionale. U lexua një deklaratë dhe emrat e kadetëve që i kishte nxjerrë Akademia e parë Ushtarake e UÇK-së, dhe e tera kjo u manifestua me një program të shkurtër artistik, të përgatitur nga nxënësit dhe banorët e Açarevës, derisa në shërbim të Akademisë dhe të UÇK-së ishin punëtorët e arsimit të shkollës fillore të fshatit Açarevë, duke kontribuar pushkës dhe pendës, duke mbajtur shënime, duke organizuar e ndihmuar në mbajtjen e ligjëratave teorike të kadetëve si; Ismet Rrahmani, drejtor i shkollës, Musli Haxha, sekretar, arsimtarët Fadil Shabani, Naser Rrustemi, Ramosh Rrahmani e të tjerë.
KADETËT E PARË TË AKADEMISË USHTARAKE TË UÇK-së:
Hysni Shabani, kapiten, Avni Haxha, kapiten, Fadil Tahiri, toger, Rasim Shala, toger, Xhafer Haxha, toger, Fatmir Hasani, toger, Fatmir Jashari, toger, Xhavit Selimi, toger, Bekim Shala, toger, Abit Zhabota, rreshter, Shefqet Shala, rreshter.
Bekim Berisha-Abeja, duke mos e ndier asnjëherë veten të lodhur, gjithherë ndodhej në mesin e ushtarëve, duke nxjerrë urdhëresa të rëndësishme, të cilat më vonë zbatoheshin edhe nëpër Zonat tjera të UÇK-së, si; ndërtimin me urgjencë të furrave të bukës dhe kuzhinave për ushtarë, ndërtimin dhe sofistifikimin e bunkerëve afër çdo pozicioni e tjera të rëndësishme që po zbatoheshin në terë territorin e Kosovës ku vepronte UÇK-ja…

Açarevë, 22 prill 2020, df