Dy raste të ushtrimit të dhunës fizike dhe psiqike të kryera nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës ndaj qytetarëve, janë raportuar kohëve të fundit përmes video-inçizimeve nga mediat në vend.
Një nga dy rastet e publikuara nga Telegrafi është i dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët në fund të muajit dhjetor të vitit të kaluar përmes një video inçizimi janë parë në afërsi të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri, ku një police shihet duke e goditur një vajzë, e cila sipas pamjes në video duket të jetë e mitur.
Ndërsa rasti tjetër është i një pjesëtari të Njësisë së Reagimit të Shpejtë në stacionin policor “Qendra” në Prishtinë, Haris Kelmendi, i cili është arrestuar të enjten në mbrëmje për herë të dytë, nën dyshimin për veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, pasi përmes video inçizimit shihet keqtrajtimi i një 18 vjeçari nga ky polic, e cila ngjarje ka ndodhur në vitin 2018.
Në lidhje me rastin e fundit ka reaguar edhe drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj i cili ka thënë se dhuna policore është sinonim i shtetit të kapur dhe mungesës së demokracisë.
Ai këtë vepër të policit e quajti “Dhunë e shfrenuar barbare ndaj një të ndaluari në stacion të policis”.
“Ky rast doli në publik, sepse kolegët e policit të tërbuar nuk janë mjaftuar vetëm me keqtrajtimin dhe dhunën fizike dhe psiqike ndaj të ndaluarit. Trofeu i tyre ishte inçizimi i tërë kësaj dhune për të kënaqur egon e tyre të sëmurë”, ka shkruar Miftaraj.
Tutje ka shkruar se IKD në vazhdimësi ka kërkuar që në dhomat e intervistimit dhe marrjes në pyetje të policisë dhe prokurorisë të ketë kamera dhe tërë kjo procedurë të inçizohet në audio dhe video.
“Draft Strategjia për Sektorin e Sundimit të Ligjit fatmirësisht e ka trajtuar këtë problematik dhe sjellje jo profesionale të policisë, përfshirë fshehjen e rasteve të tilla, amnistinë e kryrësve të veprave penale të tilla. Asnjë parti politike nuk e ka në agjendë politike një gjë të tillë, sepse për ta Policia dhe Prokuroria janë mjet për realizimin e qëllimeve politike. Jam i sigurt se për poena politike tash edhe e flasin ndonjë fjalë ose premtim elektoral, por vetëm sa për të thënë”, ka reaguar ndër të tjera Miftaraj në Facebook.
Ndërsa, sociologia Dhurata Prokshi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se në rastin kur policia ushtron dhunë psiqike apo fizike ndaj të pandehurve apo kryerësve të veprave penale, me qëllim të marrjes së informacioneve paraqet tejkalim të kompetencave të tyre.
Siç tha Prokshi, veprimi i tillë mund të konsiderohet edhe si vepër penale nga ana e tyre duke keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar.
“Veprimi i tillë mund të konsiderohet edhe si vepër penale nga ana e tyre duke keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar, si dhe lejuar vetes që përmes autoritetit të institucionit të shprehin bindjet dhe emocionet e tyre me veprime të dhunshme ndaj të pandehurit gjë për të cilën nuk kanë të drejtë. Përveç në situatat kur mund të vlerësohet që janë të rrezikuar apo sulmuar nga i pandehuri, atëhere reagimi në vetëmbrojtje do të duhej të ishte i matur, respektivisht i mjaftueshëm për të evoku pasojat fatale”, ka thënë ajo.