(“Asniherë nuk m’ka lanë nana
me u ba nuse me shtatë dhanrra”*)
Asnjë libri të bejtexhinjve
për dhimbjen time
s’ia besoj referencat
kam unë lëkurët që më mbetën,
kam eshtrat
holluar prej unazave të prangave,
kam unakët arkiva të vatrës,
unë kam hirin e blerimit të shpirtit,
kam rrashta e kulla të shpuara
që m’u kanë bërë rrënjë.
KAMERIERET E REJA
Me flatrat e fluturave
që digjen rreth dritës,
nëpër dyer e dritare
ato venë e vijnë,
ndonëse xhamat e lokalit
janë aq të bardhë,
ndonëse qelqet e restorantit
janë aq të pastër,
bardhë ku çelin pëllumba
ëndrrat e tyre, alabastër.
Sepse ato duhet t’i lodhin flatrat
edhe aty ku s’ka pluhur,
edhe mbi dyshemenë
ku nuk ekziston fare asnjë bëzhdilë,
sepse ato,
duart e tyre të bardha e të brishta
nuk mund të fshijnë
çfarë vërtet duhet fshirë.
SHQYRTIMI I ANKESËS SË DËSHMORIT
Fare nuk është e rëndësishme
a erdhi apo u vërtetua
se nuk ka arritur as në njërën,
as në tjetrën kasaba të Provincës
një ankesë,
nënshkruar nga një dëshmor,
dora vetë.
(dikujt më vonë i ra ndër mend
se duhej hedhur poshtë menjëherë
akti i komunikimit të fëmijës me përmendoren
si dhe të bëhet e ditur
kush prej të gjallëve mund ta ketë nxitur
t’ia qajë hallin prindit,
pastaj u përhap fjala se komisioni ad hoc
dhe qatipët e kazasë e patën punën pisk,
shkruaj e gris, shkruaj e gris, vazhdimisht).
Por fare nuk ka rëndësi, mësa një pikë uji në det,
mësa një kokrrizë rëre në shkretëtirë,
a pa kush ëndërr, a e stisën poetët,
apo e tëra është intrigë armiqsh,
kryesore, asambletë popullore
në seancë urgjente u mblodhën
ta shqyrtojnë ankesën shumë seriozisht,
sipas rregullave
dhe afateve zyrtare të procedimit,
sepse, tekefundit,
as dëshmori nuk mund të jetë përmbi ligjin.
(më vonë nuk u mor vesh kurrë në Provincë
kush kujt i tha
se s’duhej bërë për dëshmorin ky konstatim,
pastaj për shkak të mjegullës së dendur
që ra në vilajetin e nëmur,
as sot ende s’u mor vesh cili pyeti atëherë
a është e drejtë e institucionit të shtetit ligjor
ta shqyrtojë ankesën që parashtron një dëshmor).
Nëpër rrugë, treg, mejhane e nëpër çdo lagje
si luzmë sardelesh u nisën varg e vistër
kasnecët, fallxheshat, tellallët e shortarët,
të marrin vesh më shumë
mos në këtë pështjellim
ka gisht ndokush nga të gjallët.
(më vonë u mor vesh
se në aksion ka pasur përgjues
edhe nga organizata kooperativiste e të rinjve,
dhe njëri nga këta, duke qenë aq shumë vigjilentë,
u tha se paska parë herë një, herë njëqind
persona të panjohur e shumë të dyshimtë
te Kroi i Mirë i Ujit që Shpërlan Trurin,
pastaj i njëjti nga ta në besë një miku të tij i tha
se aty natën vijnë gjindja
të blatojnë dhurata të mira,
sidomos kush është askush,
grykësit, matufët e makutët).
Dhe fare nuk është e rëndësishme
u refuzua kërkesa e dëshmorit apo u tumir,
por ky rast i paprecedent
për Provincën është ogur i keq,
paska thënë një fallxheshë.
Lajmëtarët e kasabasë mbi kuaj gërdallë u nisën
t’ia japin në dorë dëshmorit përgjigjen,
thoshin pas shtatë netësh,
thoshin pas shtatë bjeshkësh,
e kur u lodhën, thanë as pas një mijë vitesh,
kështu avash-avash
nëpër rërën e rëndë të Provincës.
(sot e atëherë kush kurrë s’e mori vesh
ç’numër protokolli pati akti zyrtar i përgjigjes,
ç’datë dhe ç’adresë).
_______________________________________
*varg i një kënge të bukur mirditore.