Për një karrocë po dyshohet se nisi i gjithë sherri ndërmjet djalit të dajës dhe atij të hallës pasditen e djeshme në Lipjan. Nga përleshja në mes të familjarëve mbeti i vrarë një person, Fadil Krasniqi 42-vjeçar, ndërkohë dy të tjerë janë arrestuar. Prokuroria po i vazhdon hetimet. Këta të fundit për Express, po deklarojnë se po e presin kallëzimin penal për të parë gjetjet e policisë, dhe në bazë të provave pastaj do të shohin për propozimin e masës së ndalimit.
Këtë për Gazetën Express e ka konfirmuar prokurori i rastit Ilaz Beqiri.
“Për rastin mund të ju them se jemi duke i vazhduar hetimet. Po e presim kallëzimin penal nga ana e policisë. Dy persona janë të ndaluar për momentin. Motivi i ngjarjes ka të bëjë për arsye pronësore. Për një karrocë janë kapur mes vete”, ka thënë Beqiri.
Ndërkohë për rastin ka dhënë detaje sot edhe policia e Kosovës.
“Rr. Lidhja e Prizrenit, Lipjan. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj K/Shqiptar të cilët pas një përleshje fizike që kishin pas me viktimën mashkull K/Shqiptar me ndonjë mjet të mprehtë e kishin goditë atë i cili si pasoj e lëndimeve kishte ndërruar jetë në QKUK”, deklarohen nga policia.
Ndërkohë, si pasojë e rastit edhe dy të dyshuarit e ndaluar kanë pranuar tretmanë mjekësor.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe prokurori i shtetit. Nga njësiti përkatës policor është gjetur dhe konfiskuar një thikë. Të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pajetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, rasti vazhdon të hetohet”, thonë nga policia.
E ndërkohë, viktima me të dyshuarin sipas prokurorisë kanë qenë familjar në mes vete.
“Djalë daje dhe djalë halle kanë qenë mes vete. Ka ndodhur për motive pronësore. Njëri nga familjarët e kishte vendosur një karrocë me çimento para shtëpisë së tjetrit, e kështu filloi konflikti”, tha Beqiri.
Viktima, F.K, i lindur në vitin 1977, ishte komshi dhe familjar me të dyshuarin për vrasje, tashmë edhe familjar. Burime të Express thanë se viktima me profesion ishte kasap dhe kishte punuar edhe në një kompani sigurimi.