Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar të mërkurën për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.
Sipas vendimit, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është 1 nëntori i vitit 2023.
Por, në rast se do të ketë vonesa për këtë sistem, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.
“Sot ne kemi marrë një hap të rëndësishëm për Kosovën drejt lëvizjes së lirë pa viza dhe shpresojmë të arrijmë një marrëveshje me Parlamentin Evropian për ta bërë këtë premtim një realitet.
Liberalizimi i vizave është bërë i mundur falë përpjekjeve të Kosovës për të forcuar kontrollin kufitar, për të menaxhuar migrimin dhe ne besojmë se ky bashkëpunim i mirë vetëm sa do të forcohet në të ardhmen”, ka thënë ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky.
Deri atëherë, Kosova duhet të synojë të ketë “marrëveshje apo aranzhime” për riatdhesim me ato vende të BE-së, me të cilat nuk i ka.Kosovës, po ashtu, i kërkohet të vazhdojë të përshtasë politikën e saj të vizave me atë të BE-së, ndërkohë që i mbetet të kalojë edhe nëpër disa procedura të tjera që i kërkojnë vendet anëtare.
Vendimi ua mundëson qytetarëve me pasaporta të Kosovës të udhëtojnë pa viza drejt BE-së për 90 ditë në periudhë gjashtëmuajshe. Nën kushtet aktuale, liberalizimi i vizave do të nisë në datën e nisjes së sistemit ETIAS dhe në asnjë rast më larg se 1 janari 2024.