Në Kosovë janë testuar 82 persona për koronavirus, sipas rezultatit të analizave as njëri nga ta nuk është i prekur nga kjo epidemi. Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali se testimi për prani të SARS-CoV-2 kryhet në laboratorin e Mikrobiologjisë molekulare, me metodën “Real Time PCR” me dy aparate “ABI7500” dhe “RotorGene Q”.
Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për Gazetën Sinjali ka njoftuar se metoda e testimit është me “Real Time PCR” dhe kryhet sipas protokollit “Drosten et al” si dhe testin komercial “PrimerDesign/Genesig UK”, shkruan Gazeta Sinjali.
“Testimi për prani të SARS-CoV-2 kryhet në laboratorin e Mikrobiologjisë molekulare, Departament të Mikrobiologjisë, IKSHPK, me metodën Real Time PCR me dy aparate ABI7500 dhe RotorGene Q. Siç u përmend me sipër, metoda e testimit është me Real Time PCR dhe kryhet sipas protokollit Drosten et al (të rekomanduar nga OBSH-ja) si dhe testin komercial PrimerDesign/Genesig UK”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për Gazetën Sinjali.
Instituti i Shëndetësisë Publike i Kosovës ka njoftuar se testimi në (IKSHPK) është konfirmativ.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë testimi me këtë metodë është i besueshëm, pasi sipas tyre metoda e testimit është e standardizuar globalisht.
“Testimi në IKSHPK është konfirmativ. Testimi me këtë metodë si dhe laboratorin në fjalë është i besueshëm, pasi që metoda e testimit është e standardizuar globalisht dhe IKSHPK ka laboratorët adekuate, personelin e trajnuar dhe me experience si dhe kitet kualitative për testim”.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali se laboratori i mikrobiologjisë molekulare bashkëpunon me shumë laboratorë në rajon dhe botë. Siç njofton Ministria e Shëndetësisë ata marrin pjesë rregullisht në kontrollin e kualitetit të jashtëm për Influencën me laboratorin e rekomanduar nga OBSH-ja në Hong Kong.
Ministria ka njoftuar se i dërgojnë mostrat për Influencën për analizë filogjenetike në laboratorin e rekomanduar të OBSH-së për influencë në Londër.
Nëse në Kosovë shfaqet ndonjë i infektuar me koronavirus, analizat pozitive do të dërgohen në laboratorët e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
“Sa i përket SARS-Cov-2 kur t’i kemi rastet e para pozitive do te dërgohen në laboratorët të cilat janë rekomanduar nga OBSH-ja” , thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Në mbledhjen e shtatë të Qeverisë së Kosovës, e cila u mbajt me qëllim për parandalimin e koronavirusit, është miratuar kërkesa e ministrit Arben Vitia për masat e parandalimit të koronavirusit.
Ndër pikat e rendit të cilat u miratuan ishte edhe mbyllja e shkollave deri më 27 mars në të gjitha nivelet.
Ndërkaq, nga OBSH-ja, koronavirusi sot është shpallur si pandemi