3 persona nga Klina janë konfirmuar si të prekur me COVID-19, mirëpo asnjëri nga ta nuk ka qenë me banim në Klinë. Rasti i fundit u shënua mbrëmë, ku IKSHPK konfirmoi se një banor i këtij qyteti u prek me koronavirus. Por kush është ai dhe cila është historia e tij, për këtë rast jep detaje kreu i komunës
Mbrëmjen e së mërkurës, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ka konfirmuar 14 raste të reja me virusin COVID-19.
Një prej këtyre 14 personave është banor i fshatit Gjurgjevik i Madh i Komunës së Klinës. Mirëpo, i konfirmuari me koronavirus nga kjo komuna, nuk ka qenë duke qëndruar atje.
Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka treguar se i konfirmuari me koronavirus nga ky qytet, kishte qenë duke qëndruar në karantinë në Qendrën e Studentëve.
“Rasti që u konfirmua mbrëmë me virusin COVID-19 është nga fshati Gjurgjevik i Madh, por është rast i karantinës. Ka qenë duke qëndruar i izoluar në konvikt në Prishtinë, pasi ka ardhur nga jashtë”, ka thënë Elezaj.
Ndërkohë, një rast tjetër me koronavirus nga kjo komunë u konfirmua mbrëmjen e së martës. Një infermiere e Klinikës Infektive të QKUK-së, e cila është nga fshati Ujmir i Klinës.
Megjithëse ishte duke jetuar në Prishtinë, ajo kishte shkuar ndërkohë edhe në fshat, deklaroi Elezaj të mërkurën
Tashmë u janë marrë mostrat personave që dyshohej se mund të kishin pasur kontakte me të prekurën me koronavirus, e rezultatet e tyre kanë dalë negative.
Madje, edhe bashkëshorti i infermierës ka dalë negativ në testimet për koronavirus.
“Mbrëmë kanë dalë negativë 6 persona të cilët dyshohej se mund të kishin pasur kontakte me infermieren, edhe bashkëshorti i saj ka dalë negativ. Instituti po i hulumton edhe rastet e tjera të kontaktit”, ka deklaruar Elezaj.
Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik mbrëmë i ka publikuar rezultatet e analizave për koronavirus, ku janë përfshirë edhe rastet pozitive nga komunat veriore të Kosovës. Instituti ka njoftuar se nga më shumë se 2500 teste, 224 prej tyre kanë rezultuar pozitiv
Në rezultatet e së martës numri total i të prekurve në Kosovë pa komunat veriore ka qenë 189, ndërkaq në testimin e së mërkurës kanë rezultuar pozitiv edhe 14 raste duke çuar numrin në 203.
Por numri total tanimë ka shkuar në 224 pasi janë përfshirë edhe rastet e komunitetit serb nga komunat e veriut të Kosovës.
Kosova tashmë numëron 224 raste pozitive me sëmundjen e COVID-19 me 6 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 37. Nga rastet e konfirmuara pozitive, sipas komunave prin Malisheva me 66 raste. Sipas të dhënave, në këtë komunë janë prekur dhjetë fshatra, ndërsa ka pasur katër burime të infeksionit.
Nga komunat e tjera, 25 raste janë nga Prishtina, 21 raste nga Vushtrria, 20 raste nga Mitrovica e Veriut, 18 raste nga Gjilani, 13 raste nga Kamenica, 10 raste nga Gjakova, 10 raste nga Zveçani, 7 raste nga Vitia, 6 nga Peja, 4 raste nga Podujeva, 3 raste nga Klina, 3 raste nga Fushë Kosova, 3 raste nga Prizreni, 3 raste nga Leposaviqi, 3 raste nga Suhareka, 2 raste nga Ferizaj, 2 raste nga Zubin Potoku, 2 raste nga Lipjani dhe me nga 1 rast Drenasi, Obiliqi dhe Komuna e Shtimes.
Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 3 mijë e 882 kontakte të rasteve.