Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq tha se autori i sulmit në Loznicë është likuiduar, shkruan Telegraf.ra,
Madje, mediat serbe kanë publikuar edhe pamjet e rënda të të vrarit. Faton Hajrizi, i cili dyshohet për vrasjen e Nikolla Krsmanoviqit, është likuiduar në afërsi të Loznicës. Hajrizi u vra në rrugën “Drinska 21”, në Loznicë për shkak të rezistencës ndaj policisë.
Ai fshihej në një fabrikë të braktisur, shtiu disa herë në drejtim të policisë. Siç raportojnë mediat në Serbi, ai nuk ka pranuar të dorëzohet dhe ka qëlluar me një numër të madh të shtënash në drejtim të policëve serbë.
Pak më herët, kur Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë publikoi fotografinë e një të dyshuari për një vepër, njëri nga vendasit raportoi se kishte parë një person me atë përshkrim pranë ish-pompës së karburantit të Viskozës.
Pjesëtarët e MPB-së në numër të madh bllokuan të gjithë zonën dhe rrugën Drinska ku edhe sinjalizuan dhe ekzekutuan Hajrizin. Pas kësaj, Ministri Daçiq ka dalë në vendin e ngjarjes.
Faton Hajrizi, dy javë më parë u arratis nga Burgu i Smrekonicës dhe ishte në kërkim nga Policia e Kosovës.
Kujtojmë se nga të shtënat që ndodhën natën e 18 korrikut në Loznicë, një polic u vra dhe një tjetër u plagos rëndë. Sulmuesi fillimisht u identifikua si Artan Hajrizi, por i njëjti tha për mediat e Kosovës se nuk ka gisht në vrasje dhe se vëllai i tij, Fatoni ia ka vjedhur dokumentet personale.