M.K, 23-vjeçar nga Mitrovica ka gjetur vdekjen pas një përleshje me armë në mbrëmjen e sotme në rrugën “Bislim Bajgora” të këtij qyteti.
Indeksonline mëson se personi i vrarë sot, s’kishte shumë kohë që kishte dalë nga burgu.
Ndërkohë nga përleshja me armë në Mitrovicë kanë mbetur të plagosur edhe dy persona të tjerë të cilët po trajtohen në QKUK.
Detaje për vrasjen e këtij të riu kanë dhënë për Indeksonline nga policia rajonale e Mitrovicës.
“Sonte rreth orës 22:20, policia ka marrë informacion për të shtëna me arme zjarri në rrugën ‘Bislim Bajgora’ në Mitrovicë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes”, thuhet në përgjigjen e policisë.
Sipas policisë, bazuar në të dhënat fillestare, nga arma e zjarrit janë plagosur tre persona, si pasojë njëri nga te plagosurit i moshës 23 vjeçare ka vdekur, vdekjen e të cilit e ka konstatuar mjeku, ndërsa dy të plagosurit tjerë janë dërguar në QKUK për trajtim te mëtejmë mjekësor.