Prishtina mbrëmë është tronditur nga të shtënat me armë zjarri që u dëgjuan në rrugën “Rrustem Hyseni”, ku për pasojë një person ka mbetur i vrarë dhe një tjetër është plagosur. I dyshuari ndodhet akoma në arrati, mirëpo Sinjali ka zbuluar detaje të reja lidhur me rastin.
Sinjali ka raportuar ekskluzivisht se viktima e këtij rasti është 62-vjeçari, Naser Gashi, i cili përpos që dyshohet se u qëllua me armë, u raportua se u godit edhe me thikë në gjoks.
Ndërkaq, personi që ka mbetur i plagosur është 41-vjeçari, Miftar Miftari.
Gazeta Sinjali po ashtu ka raportuar se i dyshuari në lidhje me këtë rast është Alban Gashi.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se Policia ka kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit Alban Gashi.
I dyshuari siç merr vesh Gazeta Sinjali ka të kaluar kriminale dhe ka pasur edhe më herët probleme me Miftar Miftarin.
Dyshohet se i dyshuari Alban Gashi dhe Miftar Miftari kanë pasur disa probleme mes vete në Spanjë dhe vetëm para pak ditësh kanë ardhur në Kosovë.
Vrasja tragjike dyshohet se erdhi si pasojë e telasheve mes tyre jashtë Kosovës.
Në momentin e krimit, Alban Gashi, dyshohet se ka qenë i shoqëruar edhe me se paku një person tjetër.
Mirëpo, ani pse kanë kaluar më shumë se 12 orë që kur ka ndodhur krimi, i dyshuari Alban Gashi, vazhdon të jetë ende në arrati.
“Nuk ka asnjë të arrestuar për rastin. Prokurori i Shtetit në bashkëpunim dhe koordinim me organet e Policisë janë duke ndërmarrë masa dhe veprime të nevojshme hetimore mbi këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.