Propozimi për pagë minimale në vlerë të 264 eurosh në muaj ka dështuar të miratohet në Këshillin Ekonomik Social, ka njoftuar ministri i Financave Hekuran Murati.
Murati ka thënë se KES ka propozuar pagë minimale prej 240 eurosh në muaj, ndërsa Qeveria ka propozuar 1.5 euro për orë, apo 264 euro në muaj.
Sipas Muratit, propozimi s’i ka marrë votat e nevojshme për shkak të mosmbështetjes nga përfaqësuesit e sindikatave.
Kundërshtimi nga ana e sindikatave nuk ka kuptim dhe nuk mund të spjegohet meqenëse asnjë nga punëtorët që ata përfaqësojnë nuk preket nga paga minimale, për shkak se pagat e tyre janë dukshëm mbi nivelin e pagës minimale. Krejt çka arrihet me këtë mos-votim është se punëtorët e sektorit privat do të vazhdojnë ta kenë pagën minimale 170 euro”, ka shkruar Murati në Facebook.
Javë më parë, kryeministri Albin Kurti është zotuar se ka nisur punën për rritjen e pagës minimale.
“Filloi puna drejt rritjes së pagës minimale, drejt përmbushjes së një tjetër zotimi. Për vite të tëra, punëtorët e sektorit privat janë lënë anash. Me qeverisjen tonë, kjo ndryshon. Atyre do t’ua sigurojmë pragun e të hyrave që u mundëson një jetë të dinjitetshme. Ende pa i mbushur një vit në qeverisje, kemi filluar ndërmarrjen e hapave të nevojshëm drejt rritjes së pagës minimale”, kishte njoftuar Kurti.