Ka dështuar seanca në gjykimin që po zhvillohet ndaj të akuzuarve për krime lufte ndaj popullatës civile më vitin 1999 në fshatin Nerodime e Epërme, Komuna Ferizajt, Z.K. dhe D.Sh.
Ata akuzohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), se në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serb kishin kryer veprën penale krime lufte, raporton “Betimi për Drejtësi”
Shkak për dështimin e kësaj seance ishte mungesa e të akuzuarit D. Sh., i cili nuk mund të prezantonte për seancë për shkak të gjendjes shëndetësore.
“Pas seancës së kaluar, gjendja shëndetësore e të akuzuarit D. Sh. është përkeqësuar dhe i njëjti është hospitalizuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës” njoftoi kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Musa Konxheli i cili tha se i akuzuari Sh. është kthyer në Burgun e Sigurisë së lartë ku edhe gjendet në paraburgim, mirëpo i njëjti është duke vazhduar trajtimin shëndetësorë.
Gjykatësi Konxheli njoftoi palët lidhur me shkaqet e dështimit të kësaj seance edhe në gjuhën serbe për shkak se të mungesës së përkthyesit.
Seancat e radhës ku pritet të dëgjohen dëshmitarët e propozuar nga prokuroria, janë parparë të mbahen më 27 dhe 28 janar 2020 nga ora 9:30.
Ndryshe, pas konfirmimit të aktakuzës gjykata kishte nisur shqyrtimin gjyqësor në korrik të këtij viti, ndërkaq në seancën fillestare të mbajtur në janar të vitit 2020, dy të pandehurit kishin mohuar fajësinë.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 30 dhjetor 2019, i akuzuari Z. K., më 26 mars 1999, rreth orës 22:00, në fshatin Nerodime e Epërme, Komuna Ferizaj, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serb, i veshur me uniformë të policisë dhe i armatosur, me vetëdije e qëllim, duke vepruar sipas planit dhe urdhrave të eprorëve të tij, ka marrë pjesë drektë në sulmin e popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, konkretisht familjes N. që nuk kanë marrë pjesë aktive në konflikt të armatosur.
Gjithnjë sipas aktit akuzues, i njëjti gjatë këtij aksioni në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të forcave policore, ushtarake dhe paramilitare, fillimisht me mjete motorike ushtarake dhe policore, ka hyrë në oborrin e shtëpisë së O. N, e pastaj nën krisma të armëve dhe britmave në gjuhën serbe, rrëmbyeshëm dhe me formë kanë hyrë brenda në shtëpi, ku ishin të strehuar 19 anëtarët e kësaj familje, në mesin e tyre fëmijë, gra e burra.
Pastaj, thuhet se i pandehuri në bashkëveprim me kryerës të tjerë të cilët u përkisnin forcave policore, ushtarake dhe paramilitare, ka marrë pjesë në cenimin e rëndë të personalitetit dhe dinjitetit të pjesëtarëve të kësaj familje, ngase me forcë nën kërcënimin e armëve, duke ndjellë frikë për jetën e tyre, i kanë nxjerrë dhunshëm nga shtëpia dhe duke i trajtuar në mënyrë jo humane i kanë rreshtuar në oborr para shtëpisë duke i mbajtur nën frikë dhe presion për një kohë të gjatë.
Tutje, thuhet se në vazhdim derisa personat civil të familjes N., ishin të rreshtuar në oborr, në prezencën e tyre, i pandehuri në bashkëveprim me kryerës të tjerë, ka marrë pjesë në shkatërrimin e paligjshëm dhe qëllimshëm të pasurisë së kësaj familje, djegien e shtëpive, kafshëve, ushqimin e kafshëve dhe gjithë pasurinë që gjendej në oborr, pasuri kjo që nuk justifikohej me nevoja ushtarake.
Pastaj, sipas akuzës, i pandehuri në të njëjtën kohë ka marrë pjesë edhe në dëbimin e 15 anëtarëve të kësaj familje, të cilët paraprakisht ishin të rreshtuar në oborr, ku në bashkëveprim edhe me kryerës tjetër, nën kërcënimin e armëve i kanë urdhëruar të shpërngulen nga vendbanimi i tyre duke i dëbuar me forcë në drejtim të panjohur.
Tutje, thuhet se i pandehuri ka marrë pjesë në marrjen peng të katër personave të kësaj familje, i cili duke vepruar në bashkëveprim me kryerës tjerë, fillimisht i ka ndarë nga pjesëtarë tjerë të familjes, personat O. N, B. N., A. N. dhe B. N., tani të ndjerë. Pas marrjes të tyre, thuhet se thelbësisht ka kontribuar në trajtimin mizor të tyre, duke i maltretuar, torturuar, gjymtuar dhe përfundimisht vrarë me armë zjarri, kufomat e të cilëve me qëllim të fshehjes së krimit i kanë hedhur për skaj rrugës magjistrale Prishtinë – Ferizaj, konkretisht në fshatin Babush.
Për këtë, akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së, të paraparë edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të Konventae të Gjenevës nga neni 146, paragrafi 1 dhe 2 , nënpargrafi 2.1,2.2 dhe 2.3 të KPRK-së, ndërlidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Kurse, i pandehuri D. Sh., sipas aktakuzës, më 1 prill 1999, në cilësinë e inspektorit policor, i armatosur me armë automatike, me qëllim të përdhosjes, poshtërimit dhe trajtimit nënçmues të trupave të pajetë, viktimave O. N., B. N., A. N. dhe I. R., ka urdhëruar që trupat e tyre të varrosen pa dinjitet dhe në kundërshtim me rregullat e luftës të përcaktuara me të drejtën humanitare ndërkombëtare.
Sipas akuzës, në një njëjtën ditë, sipas urdhrit të të pandehurit dhe pjesëtarëve tjerë policorë, trupat e pajetë të viktimave të cekura si më larë, përmes personave H. K., I. A. dhe një personi tjetër i quajtur “Rada”, me kamionin e tipit “FAP”, me ngjyrë të verdhë janë tërhequr nga Morgu i Prishtinës, ende pa u bërë autopsia dhe janë dërguar në afërsi të varrezave të qytetit të Ferizajt të quajtura “varrezat myslimane”, ku aty ishte duke i pritur i akuzuari D. Sh., i cili menjëherë posa kanë arritur trupat e pajetë, ka urdhëruar personin e quajtur “Maksut”, që me ekskavator të fillojë hapjen e një grope me qëllim të hedhjes së këtyre.
Ndërkaq, më pas, akuza thotë se pas hapjes së gropës me përmasa përafërsisht 2 deri në 3 metra e gjerë dhe 70 deri në 80 cm të thellë, i pandehuri D. Sh., ka urdhëruar që trupat e të vrarëve fillimisht t’i zbresin nga kamioni, e pastaj pa u respektuar traditat dhe ritet fetare janë hedhur në mënyrë të parregullt të gjithë në të njëjtën gropë masive.
Sipas akuzës, në përfundim, i pandehuri në kundërshtim me doket, zakonet dhe rregullat fetare të të vrarëve ka urdhëruar që përmes ekskavatorit trupat e pajetë të hedhur në gropë masive të mbulohen me dhe, duke mos mbajtur asnjë shënim për identitetin e të varrosurve dhe duke mos lënë asnjë shenjë identifikuese se aty ka varrezë.
Më këtë, akuzohet se ka kryer veprat penale “krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 LP të RSFJ-së, aktualisht e dënueshme edhe Kodin Penal të Republikës së Kosovës nga neni 146, paragrafi 2.2 “ Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të konventave të Gjenevës”