Gjatë vitit 2022, kadeti i policisë, Flordian Shabaj, kishte mbetur i vdekur gjatë një aksidenti në komunikacion.
Babai i tij, në një lidhje direkte nga Peja në KlanKosova hodhi dyshime mbi procesin që tashmë është në rigjykim.
Dyshimet e tij janë që djali i tij mund të mos ketë ndërruar jetë nga aksidenti por nga asfiksia.
“Ekspertiza ka qenë e përgjysmuar. Aty thotë se të gjitha organet tjera i ka të shëndosha. Kokën, qafën, sytë, mushkëritë, zemrën. Unë dyshoj që ata kanë mundur të kryejnë një akt të turpshëm, çnjerëzor që të mos të tregojë Flordiani se kush e shkaktoi aksidentin. Arsyeja është sepse ata kur kanë dashur të ikin kanë bërë çmos”.
“Kam kërkuar në gjykatë dhe prokurori të bëhet super ekspertiza. Dyshimi është që ka mundur të ndodhë asfiksia. Në certifikatën e institutit shkruan që ka pasur politraumë kurse në raportin mjekësor shkruan që ka pasur gjakderdhje hemoragjike”.
“Ose duhet të jetë njëra ose tjetra. Unë dyshoj që ka mundur të ndodh diçka edhe më e keqe”, u shpreh Shabaj duke aluduar në asfiksinë.
Në anën tjetër, familjari i të akuzuarve për rastin në një lidhje telefonike tregoi se të përfshirët në aksident ia kanë mbajtur të fshehtë fillimisht ngjarjen duke mos i treguar as personave të familjes kanë qenë të përfshirë në këtë aksident.