Temperaturat në vendin tonë kanë shënuar rritje. Gjatë ditëve të fundit të muajit qershor, këto temperatura po shkojnë deri në 32 gradë.
Eksperti i meteorologjisë, Sylë Tahirsylaj, ka treguar për Gazetën Express se deri kur do të vazhdojë të mbretërojë mot i tillë në vend.
Tahirsylaj thotë se vendi ynë do të vazhdojë të jetë nën ndikimin e masave të nxehta ajrore që vijnë nga pjesa jugperëndimore e rajonit.
“Temperaturat minimale do të luhaten nga 15 deri në 17 gradë celsius, ndërsa ato maksimalet do të luhaten deri në 34 gradë celsius. Gjatë kësaj jave nuk do të ketë reshje të shiut. Do të ketë erë nga ana e jugut dhe jugperëndimit në shpejtësi nga 1 deri 7 metër sekondë”, tha Tahirsylaj.
Tahirsylaj ka bërë të ditur se gjatë muajit korrik do të ketë ngritje të temperaturave, ku ato maksimalet mund të shkojnë deri në 39 gradë celsius.
“Kjo gjendje do të vazhdojë. Muaji korrik do të jetë më i nxehti gjatë stinës së vitit. Temperaturat mund të shkojnë deri në 39 gradë celsius. Gjithnjë bisedojmë për matjet profesionale në shtëpizat meteorologjike nën hije. Në qytete dhe vendbanime urbane këto temperatura mund të jenë më të larta, por nuk janë standarde, sipas Organizatës Botërore Meteorologjike me seli në Gjenevë”, thekson Tahirsylaj.