Një aksion i Policisë së Kosovës kundër bixhozit të kundërligjshëm në një lokal në sheshin ‘Adem Jashari’ në Skenderaj rezultoi me arrestimin e një pronarit, Isa Aliqkaj dhe sekuestrimin e një sërë provash materiale që dyshohet se shërbenin për organizimin e lojërave të fatit,
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se brenda afatit ligjor, Prokuroria Themelore ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së sigursë ndaj Aliqkajt. Ky i fundit, gjatë ditës së djeshme është paraqitur para gjyqtarit të procedurës paraprake.
Sinjali mëson se të dyshuarit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, nën dyshimet se ka kryer veprën penale ‘Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të kundërligjshëm’.
Kujtojmë që Policia njoftoi të mërkurën se në lokalin e Aliqkajt janë gjetur dhe sekuestruar provat materiale si tre televizorë për shërbime të basteve, katër monitorë, katër shtëpiza, 8 topa letër për printime, tri tastiera , 20 tiketa, një libër i basteve dhe një sasi e parave të gatshme.
Kujtojmë se Ligji për ndalimin e lojërave të fatit në Kosovë, i cili ndalon funksionimin e bizneseve të lojërave të fatit për 10 vjet, ka hyrë në fuqi në muajin maj të vitit 2019.
Ky ligj ishte propozuar nga Qeveria e Kosovës, kurse u miratua në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës me 28 mars të po atij viti.
Vendimi për mbylljen e lojërave të fatit është marrë, pasi në dy kazino në qytete të ndryshme të Kosovës, u vranë dy persona.