Deputetja nga Partia Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu ka njoftuar se ka rezultuar pozitive me virusin COVID-19.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, Deliu iu ka kërkuar ndjesë bashkëpartiakëve që do t’i ndërpres takimet me anëtarët dhe simpatizantët e partisë.
“Pas shfaqjes së disa simptomave kemi konsultuar mjekët dhe i jemi nënshtruar testit për Covid-19, me ç’rast unë dhe bashkëshorti kemi rezultuar pozitiv. Sapo morëm rezultatet, u vetë-izoluam dhe do t’i nënshtrohemi këshillave mjekësore, deri sa ta kalojmë këtë gjendje. U kërkoj ndjesë kolegë dhe aktivistëve të partisë që më duhet të ndërpres takimet dhe bashkëbisedimet me anetarët, simpatizantët por edhe qytetarët në përgjithësi, gjatë kampanjës që kemi filluar kohë më parë”, ka shkruar Deliu.
Tutje, ajo iu ka bërë thirrje qytetarëve që t’i vendosin maskat, të kujdesën për higjienën dhe ta ruajnë distancën.
“Lutem që kjo valë e infeksionit me virusin të kalojë sa më shpejtë dhe ju lus që të vazhdoni të mbani maskat, të kujdeseni për higjienën dhe ta ruani distancën. Shihemi së shpejti!”, ka përfunduar Deliu.