Alicia Kearns, deputete në Britaninë e Madhe që drejton Komisionin për Punë të Jashtme, ka mirëpritur vendimin e shtetit të saj për dërgimin e trupave në veri të Kosovës në kuadër të KFOR’it, pas situatës së krijuar më 24 shtator, ku një grup terrorist ka sulmuar Policinë e Kosovës.
Deputetja konservatore e ka cilësuar dërgimin e trupave britanikë në Kosovë si lëvizje të rëndësishme, ajo shton se “mosndëshkimi ngjall përbuzje për sundimin e ligjit”.
“Lëvizje e rëndësishme drejt parandalimit në Ballkan pasi Grant Shapps konfirmon dislokimin e të gjithë Batalionit të Parë të Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit në Kosovë nën komandën e NATO/KFOR. Mosndëshkimi ngjall përbuzje për sundimin e ligjit dhe rendit: pengo, mbro dhe mbaj përgjegjësi”, ka shkruar ajo.
Më 24 shtator grupi terrorist ka sulmuar Policinë duke vrarë policin, Afrim Bunjaku, tashmë hero i Kosovës.
Institucionet e Kosovës vazhdimisht publikojnë fakte që dëshmojnë përfshirjen e Serbisë në organizimin e atij grupi.