Me iniciativën e Forumit për Transparencë Parlamentare pesë deputetë të kuvendit të Kosovës kanë mbajtur sot takim me qytetarët e Prishtinës, mirëpo ky takim ka nisur me vetëm rreth 10 qytetarë pjesëmarrës, raporton zeri.info.
Të befasuar me numrin e pjesëmarrësve kanë mbetur edhe vetë deputetët të cilët kanë marrë pjesë në këtë takim.
“Jam e befasuar me numrin e vogël të qytetarëve. Kemi pasur debate edhe në komunat e tjera.
Është mundësi e mirë kur qytetarët pyesin drejtpërdrejt deputetët”, deklaroi deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami.
Njëjtë u shpreh edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.
“Në Prishtinë kam pritur të ketë numër më të madh por ndoshta nuk ia kemi qëlluar ditës”, tha ajo.
Ndërkohë, deputetja e LVV-së Fitore Pacolli inkurajoi qytetarët që të marrin pjesë në dëbate të tilla dhe t’iu parashtrojnë pyetje deputetëve.
“Puna jonë si deputetë është që t’iu dëgjojmë juve dhe në kuvend të votojmë sipas kërkesave të qytetarëve. Puna juaj është të bëni presion ka deputetë që nuk përfaqësojnë interesat e qytetarëve. Qytetarët rrinë të heshtur, nuk vijnë të na kritikojnë, të na bëjnë presion. Qytetari duhet të jetë kritik”, theksoi ajo.
Edhe deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, iu bëri thirrje qytetarëve që të bëjnë pyetje pqr të gjithë temat. “Nuk jam e gjithëdijshme por material kam sa të doni, flasim edhe për pjesën tjetër”, theksoi ajo.
Ndërkohë deputeti i PSD-së Dardan Sejdiu foli për sistemin e arsimit, me ç’rast tha se duhet të bëhet dixhitalizimi i arsimit. “Ajo çka unë propozoj është dixhitalizimi i arsimit që nga klasa e parë”, theksoi Sejdiu./Zëri