DËNOHET POLICI QË AKUZOHET SE NDRYSHOI FAKTET E AKSIDENTEVE NË TRAFIK

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, togerin dhe shefin e operativës të Stacionit Policor në Podujevë, Fadil Surkishi, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Sipas aktgjykimit të shpallur të hënën, nga kryetari i trupit gjykues, Shashivar Hoti, i akuzuari nuk do t’i vuaj gjashtë muaj burgim nëse brenda periudhës një vjeçare nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë shpalljes së aktgjykimit, gjykatësi Hoti deklaroi se trupi gjykues ka ardhur në konstatimin se i akuzuari e ka kryer veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar në vazhdimësi”.

Kurse, palët e dëmtuara në këtë rast u udhëzuan në kontest civil.

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Fadil Surkishit, më 16 nëntor 2017, me dyshimin se i njëjti kishte kryer në vazhdimësi veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” neni 422 paragrafi 1 i KPRK-së.

Surkishi dyshohet se kishte tejkaluar kompetencat e tij zyrtare me qëllim përfitimi të dobisë materiale për veten apo dikë tjetër.

Sipas aktakuzës, Surkishi në cilësinë e togerit dhe shefit të operativës në Stacionin Policor në Komunën e Podujevës, kishte ndikuar në dy raste të aksidentit në trafik, një në fshatin Dumnicë dhe një në Podujevë.

Surkishi, sipas prokurorisë, me qëllim kishte ndryshuar detaje rreth aksidentit dhe vendit të ngjarjes, përkundër faktit se dëshmitari Behxhet Gashi, nuk kishte qenë i pajtimit që ai ta bëj një gjë të tillë.

Surkishi pretendohet se kishte ndikuar edhe te zyrtari Fisnik Veseli, duke e detyruar të njëjtin të bëj ndryshime në raport dhe kallëzim penal, mirëpo Veseli, sipas aktakuzës, kishte përpiluar po ashtu raportin e oficerit dhe kishte treguar arsyet e ndryshimeve në raportin policor dhe kallëzimin penal.