Në gjykimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj ish-shefit të Shërbimeve Publike të Komunës së Malishevës, Ismet Mazreku, sot Gjykata e Gjakovës e shpalli verdiktin.
I pandehuri është dënuar me 6 muaj burg, por ky dënim me kërkesën e të akuzuarit iu zëvendësua me gjobë prej 3.400 euro.
Po ashtu, si obligim tjetër Ismet Mazrekut iu dha kompensimi i dëmit ndaj Komunës së Malishevës në shumën prej 8.727.90 euro.
Ismet Mazreku, ish-shef i Shërbimeve Publike në Komunën e Malishevës, po akuzohet nga Prokuroria e Gjakovës se kishte bërë manipulime me furnizim me kabllo elektrike në fshatin Gajrak të Malishevës në vlerë mbi 8 mijë euro.
Mazreku akuzohet se ka pranuar kabllo të tensionit të ulët ndërsa kablloja është dashur të vendoset e tensionit të lartë, sipas shkresës së raportit.
Trupi gjykues në këtë rast përbëhej nga Nikollë Komani, Mentor Bajraktari dhe Besarta Doli.