Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj dy ish-Ministrave Astrit Haraqija dhe Valton Beqiri dhe dy producentëve Armond Morina dhe Nehat Fejza, të akuzuar për korrupsion.
Katër të akuzuarit janë dënuar me nga një vit burgim me kusht, dënim ky i cili nuk do të ekzekutohet nëse të njëjtit nuk kryejnë ndonjë vepër tjetër penale gjatë dy viteve në vijim.
Sipas aktgjykimit, Armond Morina detyrohet që Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS) t’ia paguaj shumën në vlerë prej 100 mijë euro. Ndërkq Nehat Fejza detyrohet që MKRS-së t’ia paguaj shumën në vlerë prej 188 mijë euro.
Rasti i dy ish ministrave të kulturës dhe dy producentëve është kthyer na rigjykim nga Gjykata e Apelit më 2 qershor të këtij viti, për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës penale.
Në dhjetor të vitit të kaluar ish-ministrat Astrit Haraqija e Valton Beqiri u shpallën fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë, të cilët u dënuan me nga 10 muaj burg me kusht. Fajtor në këtë rast u shpall edhe producenti filmik Armond Morina, i cili u dënua me burg efektiv prej 6 muajve, ndërsa producenti tjetër Nehat Fejza ishte shpallur i pafajshëm.
Prokuroria i ngarkonte dy ish-ministrat Astrit Haraqija e Valton Beqiri me veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ngase kishin mbështetur filmat “Mysafir në Sofër” dhe “Ndjekja e Larës”, të producentëve Armond Morina dhe Nehat Fejza. Ndërsa, dy të fundit akuzoheshin për veprën penale të ‘mashtrimit në detyrë’. Aktakuza kundër dy ish-ministrave dhe dy producentëve u ngrit në prill të vitit 2012, ndërsa gjykimi i tyre nisi në marsin e vitit 2014.
Sipas aktakuzës, ish-ministri Astrit Haraqija ka drejtuar Ministrinë e Kulturës në vitet 2004-2007, ndërsa më 27 shkurt 2006 kishte nënshkruar kontratë me Nehat Fejzën, pronar i kompanisë “Concordia Pictures” për filmin “Ndjekja e Larës”, në vlerë prej 220,000 euro. Më 30 janar 2007, i njëjti nënshkroi një kontratë tjetër me Armond Morinën, pronar i kompanisë “Morina Films” për filmin “Mysafir në sofër”, në vlerë prej 350,000 euro. Ndërkaq, ish-ministri Valton Beqiri që drejtoi Ministrinë e Kulturës në vitet 2008-2010, kishte nënshkruar aneks kontratën me “Morina Films”, duke transferuar 100,000 euro si subvencione për realizimin e filmit “Mysafir në Sofër”. Sipas aktakuzës së prokurorisë, Ministria e Kulturës nënshkroi kontrata për këta filma në vlerën totale prej 570,000 eurove, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe atë për Kinematografinë.