Ashpërsimi i masave ndëshkimore për personat që shkelin rregullat e vetizolimit dhe daljet nga jashtë orarave të shtetrrethimit që parashikohen të realizohen me ndryshimet e Kodit Penal dhe Kodit Rrugor kundërshtohen nga 21 organizata të shoqërisë civile.
Me anë të një deklarate për mediat këto shoqata kanë kërkuar që Kuvendi të mos i realizojnë, duke paraqitur arugmentet e tyre se pse duhen rrëzuar.
Organizatat ngrenë shqetësimin për ndryshimet e fundit të propozuara në Kodin tonë Penal, të cilat dënojnë penalisht disa forma të mosbindjes së qytetarëve ndaj masave të organeve kompetente shtetërore gjatë gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore (neni 242/1) dhe disa forma të shkeljes së rregullave të karantinës për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive (242/2).
“Në vlerësimin tonë, dënimet penale të propozuara në Kodin Penal janë jo proporcionale, nuk respektojnë parimin e humanizmit të parashikuar në nenin 1/c të Kodit Penal si dhe cenojnë liritë dhe të drejtat e shtetasve.Në këtë situatë emergjence, në emër të organizatave që ne përfaqësojmë i kërkojnë Kuvendit të Shqipërisë të rrëzojë në parim amendamentet e propozuara, veçanërisht nenin 242/2”, thuhet në deklaratë
Argumentet pse nisma është antikushtetuese
1 – Duke qenë se Kodi Penal bën pjesë në kategorinë e akteve që miratohen me shumicë të cilësuar, ndryshimet e tij nuk mund të bëhen në asnjë rast nga Kuvendi me procedurë të përshpejtuar. Kjo mbështetur në nenin 83, pika 3 e Kushtetutës ku ndalohet zbatimi i procedurës së përshpejtuar për shqyrtimin e projektligjeve që kërkojnë miratimin me 3/5 e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit me përjashtim të ligjit për gjendjen e jashtëzakonshme (shih Vendimin e Gj.Kushtetuese nr. 5, datë 05.02.2014).
2 – Për rastet kur qytetarët shkelin urdhrat e organeve publike për masat e marra në kuadër të gjendjes së fatkeqësisë natyrore, Këshilli i Ministrave ka miratuar disa akte normative që parashikojnë sanksione administrative.
3 – Propozimet ligjore parashikojnë dënime tejet të ashpra që shkojnë deri në 15 vite burg dhe cenojnë dinjitetin njerëzor, në kushtet kur ritheksojmë se shumica dërrmuese e shtetasve shqiptarë janë kufizuar nga liria e lëvizjes dhe po qëndrojnë të izoluar në banesat e tyre. Këto dënime janë jo propocionale, pasi çdo dënim duhet të jetë në një raport të drejtë me rrezikshmërinë e veprës penale dhe me shkallën e fajit të autorit (Shih vendimet e Gj. Kushtetuese nr.19, datë 01.06.2011 dhe nr. 9, datë 26.02.2016). Dënimi penal i çfarëdolloj natyre duhet të synojë vetëm riedukimin dhe më pas integrimin e të dënuarit në jetën shoqërore. Ndërkohë, dispozitat që kërkohen të miratohen në Kuvend kanë si qëllim vetëm ndëshkimin për efekt të parandalimit të përhapjes së infeksionit Covid 19.
4 – Në këto dispozita është shqetësues fakti që nuk bëhet asnjë dallim sa i takon subjektit që kryen këto vepra nëse është mbartës ose jo i sëmundjes infektive. Formulime të tilla mund të çojnë në vlerësime të ndryshme arbitrare dhe në cenimin e lirive dhe të drejtave të shtetasve.
5 – Këto propozime krahas parashikimit të dënimeve të ashpra parashikojnë në të njëjtën kohë dy dënime kryesore, dënimin me gjobë dhe dënimin me burgim. Sjellim në vëmendje se Gj.Kushtetuese, me vendimin nr.47 të vitit 2012 ka deklaruar antikushtetues dhënien e dënimit kryesor me gjobë, krahas dënimit me burg. Ky parashikim nuk është në proporcion me gjendjen që e ka diktuar si dhe bie ndesh me parimin e individualizimit të dënimit e si rrjedhojë me parimin e dhënies së drejtësisë nga ana e gjykatës, pasi i heq kësaj të fundit mundësinë e përcaktimit, rast pas rasti, të dënimit penal sipas rrethanave të çështjes konkrete në shqyrtim.
Në përfundim, ne besojmë se parimi i humanizmit dhe respektimit të dinjitetit njerëzor i sanksionuar që në preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë duhet të mbizotërojë mbi çdo nismë që shqyrtohet në Kuvend, aq më tepër në kushtet e gjendjes së fatkeqësisë natyrore.