Në protestat e vitit 1981, përveç policëve serbë, ndaj demonstruesve gjuanin edhe civilët serbë. Një nga ata gjuante me snajper nga shtëpia e tij në Prishtinë, ku edhe ka vrarë studentin Sali Abazin, si dhe ka plagosur studentë e nxënës të tjerë.
Për t’i kujtuar të gjithë të vrarët e të lënduarit, si dhe për të treguar të vërtetën për serbët, sot aktivistë dhe pjesëmarrës të këtyre demonstratave, kanë vënë një pllakë përkujtimore në shtëpinë e quajtur të “Deli Pashiqve”, nga ku edhe gjuante me armë civili serb ndaj tyre. Kjo shtëpi u kërkuar që të jetë edhe muze.
Aktivisti Ragim Shala tha se terrorizmi shtetëror jugosllavë me komandimin e gjeneralëve serbë, në vitin 1981, pos që është shërbyer me objekte publike, siç kanë qenë kazermat, stanicat e milicisë, është shërbyer edhe me objekte private.
“Janë të shumta objektet private të tilla, një ndër to është edhe kjo shtëpi në të cilën më 2 prill 1981 janë plagos disa protestues. Sot jemi këtu për ta vendos këtë pllakë që e kujton terrorizmin shtetërorë jugosllavë”, tha ai.
Aktivisti Fatmir Muqolli tregon se si sulmonin nga kjo shtëpi.
“Ne e kemi lëshuar një ekskavator, barrikada vetëm të zgjohemi, ekskavatori ka shkuar atje dhe i ka rënë tankes e cila u bllokua. Sali Abazi, unë jam ulur me kap gurin dhe ai ka rënë para syve të mijë….ai i ka kërkuar vetëm aktivistët që kanë qenë shumë të gjallë dhe snajperi i ka kërkuar njerëzit që kanë qenë shumë të gjallë“, tha ai.
Hasan Zeneli, kryetar i organizatës së dalë nga lufta guerile, tha se ky monument është shumë me vlerë historike.
“Jemi shumë të lumtur që sot ia arritëm pas dyzet e sa viteve që ta vendosim këtë monument historik për popullin shqiptar“, tha ai.
Njëri nga demonstruesit, Sheremet Pantina tha se ka qenë një tubim madhështor dhe nga shtëpia e Deli Pashiqve është gjuajtur ndaj protestuesve.
“Kjo është një udhërrëfyes për të ardhmen, nëse nuk i kujtojmë ato ngjarje, atëherë bimë në pesimizëm edhe për këtë që e kemi sot.. unë kërkojë që kjo shtëpi të mbetet muze e atyre ngjarjeve, të mbetet edhe përkujtim i gjeneratave që vinë nga kush jemi sulmuar sepse janë sulmuar nga policët serbë dhe civilët serbë”, tha ai.
Xun Çeta, i cili edhe është plagosur në këtë protestë, jep detaje për protestën dhe atë cka ndodhi më 2 prill 1981.
“2 prilli, dita e sotme ka qenë pothuajse luftë, nga vet fakti se një serb del prej shtëpisë private dhe gjuan me snajperë”, tha ai.
Ai ka bërë thirrje që mos të flasin ata që nuk janë kompetent për protestat dhe organizimin e tyre në vitin 1981.