Pejë– I akuzuari Anton Nrecaj u deklarua i pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar, lidhur me akuzën për vrasjen e M.A., në Pataqan të Klinës, pas një përleshje fizike mes familjarëve të tij me viktimën.
Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari Nrecaj, e bëri të hënën në Gjykatën Themelore në Pejë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Valbona Disha-Haxhosaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, i akuzuari Nrecaj deklaroi se sa i përket pikës së parë të akuzës lidhur me veprën e vrasjes, nuk e pranon fajësinë ashtu siç është cekur nga ana e Prokurorisë, pasi që sipas tij ai kishte vepruar në vetëmbrojtje, e gjithashtu u deklarua i pafajshëm edhe për veprën e dytë “Vrasje e mbetur në tentativë”. I pafajshëm u deklarua edhe për armëmbajtje pa leje.
Pas kësaj, gjyqtarja Nushe Kuka-Mekaj, e njoftoi lidhur me afatin prej 30 ditësh për të parashtruar kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.
Ndryshe, aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 26 prill 2023, po e ngarkon të akuzuarin Anton Ndrecaj, se më 15 prill 2023, në fshatin Pataqan, Komuna e Klinës, përballë lokalit “Caffe Bar Niti”, në rrugën kryesore magjistralja Klinë-Gurakoc, me armë e ka privuar nga jeta viktimën M.A.
Sipas aktakuzës, deri te vrasja kishte ardhur për shkak se në ditën kritike ka ndodhur një përleshje fizike në mes të vëllezërve të viktimës Jeton dhe Anton Ademaj dhe familjes së kushëririt të të pandehurit Anton, e në të cilën përleshje është përfshirë edhe vetë viktima M.A, ku prezent ka qenë i pandehuri Anton, për të cilën përleshje fizike po atë ditë palët e përfshira ishin deklaruar në Polici.
Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa i pandehuri Anton kishte qenë duke qëndruar në lokalin e lartpërmendur, aty pari kishte kaluar viktima me veturën e tij “Golf2″, i cili i drejtohet dëshmitarit Gustin Tomaj, “më ki borxh sepse më ki nda me mu inati e nuk e kapshe Ndue Ndrecën, ko me jau q.. robt”, dhe ka vazhduar me veturë në drejtimin e Klinës.
Sipas akuzës, me të vërejtur i pandehuri Anton, se vetura e viktimës duke ardhur nga drejtimi i Klinës në drejtim të fshatit Zllakuqan, i pandehuri i del prapë në mes të rrugës kryesore dhe kur viktima e vëren të pandehurin me revole të drejtuar ndrejtim të tij, i cili shtie i pari me armë dhe përnjëherë gjuan edhe i pandehuri në drejtim të viktimës.
Aktakuza thotë se si pasojë e goditjes nga arma e të pandehurit, viktima del jashtë rrugës me veturë dhe bie në një livadh, ku nga plaga e marrë i njëjti vdes në vendin e ngjarjes. Ku më pas, thuhet se i pandehuri e vëren viktimën që me veturë ka rënë nën rrugë, afrohet tek rruga për t’u siguruar se viktima është gjallë apo ka vdekur.
Me këtë, thuhet në aktakuzë se ka kryer veprën penale “Vrasje”, nga neni 172 të Kodit Penal.
Sipas aktakuzës, në pikën II të dispozitivit, thuhet se në vendin e përshkruar si më lartë, me armë ka tentuar t’i privojë nga jeta të dëmtuarit Jeton dhe Anton Ademaj, pasi që të dëmtuarit kishin dëgjuar dy krisma të armëve në rrugë, me veturën e tyre “Golf5” dalin në rrugën kryesore dhe afrohen tek i pandehuri dhe pasi që e vërejnë se ky i fundit ishte me armë në dorë, ai gjuan në drejtimin e tyre 6-7 herë, ku përpos dëmeve në veturë nuk kishte pasur pasoja për njerëz.
Për çka, thuhet se me këtë ka kryer veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.
I akuzuari Nrecaj, gjithashtu në dispozitivin e III të akuzës po ngarkohet se në shtëpinë e tij në kundërshtim me Ligjin për Armë, pa autorizim, ka mbajtur në pronësi dhe kontroll armën: një pistoletë HS, me të cilën ka kryer veprën penale, dy pushka ajrore, e ku më pas policia i sekuestrojnë ato.
Më këtë, ai ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi
https://fb.watch/ky3r8kVA8q/