Një përleshje mes zyrtarëve të PTK-së dhe një qytetari ka ndodhur dje, në zyrat e postës në qendër të qytetit në Deçan. Ngatërresa që nisi për shkak të një kartele bankare u tensionua, me ç’rast u përdorë edhe një mjet i fortë. Për pasojë, dy persona kanë pësuar lëndime trupore.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë dhënë detaje se si u përfshinë në rrahje zyrtarët e Postës. Gjithçka dyshohet se nisi pasi një qytetar kishte kërkuar që të marrë një kartelë bankare dhe për këtë shërbim një zyrtar i Postës e kishte njoftuar se duhet të pres pak minuta.
‘Pritja’ siç duket e ka mllefosur qytetarin, i cili dyshohet se më zë të lartë, ka filluar të bërtas se pse duhet të pres, me ç’rast kanë filluar sharjet nga të dy palët, teksa është përdorur edhe një mjet i fortë, me të cilin qytetari ka sulmuar zyrtarin e postës.
Lidhur me rastin, Sinjali mëson se Policia është njoftuar menjëherë dhe një patrullë policore ka intervenuar, duke i shoqëruar të dyshuarit në stacion policor.
Pas intervistimit nga hetuesit policorë, prokurori kujdestar ka lëshuar urdhër për ndalimin e të dyshuarit që sulmoi zyrtarin e PTK-së, derisa ky i fundit është liruar.