Dukagjini i Klinës u mposht në ndeshjen e parë të rrethit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës nga Rijeka kroate. Rijeka fitoi 1:0 të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, por humbja nuk e ka mërzitur shumë trajnerin e skuadrës klinase, Armend Dallku.
Përkundrazi, ai dhe i gjithë stafi drejtues i Dukagjinit janë të lumtur me paraqitjen e lojtarëve në fushë.
“Besoj që edhe tifozët që ishin të pranishëm në stadium nuk janë ndarë të zhgënjyer nga paraqitja e ekipit sepse me të vërtetë djemtë luftuan dhe treguan karakter. Jam krenar me paraqitjen e ekipit”, ka thënë Dallku të premten për KOHËN.
Dallku e ka pranuar se forcat e të dyja skuadrave në fushë nuk kanë qenë të barabarta, për shkak edhe të kontingjentit të lojtarëve. Ai edhe para ndeshjes e kishte pranuar se Rijeka është favorite për ta kaluar rundin. Por i është gëzuar faktit që lojtarët kanë luftuar deri në fund.
Rijeka golin e shënoi pas gjysmë ore lojë me Niko Jankoviqin. Ndërkohë, 30 minutat e fundit të ndeshjes Dukagjini i luajti pa Altin Merlakun, që u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë. Merlaku nuk do të mund të luajë në ndeshjen kthyese dhe kjo do të jetë mungesë e madhe për Dukagjinin.
Dukagjini në të tri ndeshjet evropiane ka pasur mungesa për shkak të lëndimeve e suspendimeve me kartonë. Ardin Dallku mori të kuq në ndeshjen e parë ndaj FC Europas, Bujar Shabani u përjashtua me të kuq në ndeshjen e dytë dhe nuk luajti ndaj kroatëve. Mesfushori Shabani është prej lojtarëve me më së shumti ndeshje ndërkombëtare te kjo skuadër. Ai do të jetë i pranishëm për ndeshjen e kthimit.
“Loja shkoi keq për neve në 30-35 minutat e fundit. Ishim me një lojtar më pak dhe u desh forcë shtesë nga të gjithë futbollistët që ta menaxhojnë lojën dhe ta përfundojmë lojën me rezultatin që ishte. E kemi edhe një mundësi për ndeshjen e kthimit. Po qe se kundërshtari do të shënonte edhe ndonjë gol atëherë thuajse çdo gjë do të merrte fund. 1:0 është një derë e hapur ende për neve”, theksoi Dallku.
Rijeka ka përvojë të madhe në garat e organizuara nga UEFA. Në stadiumin “Rujevica” të enjten e ardhshme, do ta zhvillojë ndeshjen e 100-të në garat ndërkombëtare.
Por rritje të madhe ka pasur edhe Dukagjini qëkur në krye të skuadrës është emëruar Dallku, që edhe si futbollist ka pasur shumë suksese.
“Nëse dikush do të fliste para tre sezonesh që Dukagjini do të luajë në garat evropiane, të gjithë do të thoshin është i çmendur. Kjo është një arritje jashtëzakonisht e madhe, jo vetëm për klubin e Dukagjinit, por për të gjithë rajonin e Dukagjinit. Një ekip pa përvojë në garat evropiane ka arritur ta kalojë një rund. Është për t’u admiruar dhe lavdëruar. Ka qenë një projekt yni që e kemi realizuar në mënyrën më të mirë të mundshme duke e kualifikuar në garat evropiane. Kemi pasur probleme edhe për t’i bindur lojtarët t’i bashkohen ekipit tonë për shkak se kishin edhe oferta tjera, por jemi të kënaqur me lojtarët që i kemi. Me ndeshje të tilla ndërkombëtare rritet edhe cilësia individuale dhe ekipore”, deklaroi Dallku.
Dallku i është gëzuar edhe paraqitjeve të mira që kanë pasur Ballkani dhe Drita së fundmi, ndërsa i vjen keq për eliminimin e Gjilanit.
Ai nuk do të jetë pranë lojtarëve për duelin kthyes ndaj Rijekës shkaku i kartonit të kuq që e mori në fund të ndeshjes.
Por uron që skuadra të luajë me seriozitetin më të madh dhe të mos dorëzohet.
“Në ndeshjen e katërt evropiane do të luajmë për gjithçka dhe do ta presim përfundimin e kësaj ndeshjeje. Nuk do të shkojmë me flamur të bardhë. Do të udhëtojmë me forcat tona. Mundësitë që do t’i kemi do të mundohemi t’i shfrytëzojmë maksimalisht”, nënvizoi tekniku vushtrrias.
Skuadra që kalon në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës do të luajë me fituesin ndërmjet Torshavnit të Ishujve Faroe apo Haverfordwestit të Uellsit.