Trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku, është shprehur i lumtur pas fitores së parë këtë edicon në Superligën e Kosovës me ekipin e Dukagjinit.
Skuadra nga Klina triumfoi të shtunën me rezultat minimal 1:0 ndaj Fushë Kosovës.
Pas ndeshjes, Dallku tha se për momentin ai konsideron se më me rëndësi janë pikët sesa loja e bukur.
“Bëmë ndeshje të mirë kundër Ballkanit dhe e kemi marrë më të lehtë këtë ndeshje sepse kundërshtarët që kishim kanë dallim. Ne u zgjuam nga gjumi në pjesën e dytë dhe jam i lumtur për tri pikët e fituara. Me rëndësi kanë pikët në këto momente sesa loja e bukur”, ka thënë fillimisht Dallku.
Tutje, ai tha se ndryshimet kërkojnë kohë dhe se kjo fitore ishte e mirëseardhur për ta.
“Ne u besojmë djemve që kanë ardhur në ekip. Kemi marrë lojtarë me të cilët jemi të kënaqur me ta. Përmes stërvitjeve po kërkojmë që ta rrisim minutazhën edhe të atyre që kanë qenë të lënduar. Ndryshimet gjithmonë kërkojnë kohë, por ky trepikësh ka qenë shumë i mirëseardhur”, përfundoi Dallku.
Pas kësaj ndeshje, Dukagjini sheh veten të renditur në pozitën e shtatë me gjashtë pikë grumbulluara pas pesë xhirosh të zhvilluara.