Dallku komenton fitoren e Kosovës: Lojtarët tanë kanë nisur të lazdrohen, këta dy futbollistë më pëlqyen mbrëmë

Kosova mbrëmë mori një fitore shumë të mundimshme ndaj Moldavisë (1:0) e cila erdhi pas 10 ndeshjeve pa fitore,

Sigurisht presioni i fitores e bëri të vetën dhe lojtarët e Kosovës mbrëmë nuk kishin performancë të mirë, kështu që e rëndësishme mbeti vetëm fitorja që e mban Kosovën në Ligën C pasi rrezikonin të binte në Ligën D.

Ish futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Armend Dallku në një bisedë për “Zeri.info” e ka komentuar ndeshjen e mbrëmshme, derisa ka thënë se te Kosova duhen disa ndryshime, sidomos në lojën e mesfushës.

Dallku ka folur edhe për lojtarët që patën performancë të mirë mbrëmë, derisa ka dhënë edhe disa kritika për lojtarët që ndoshta sipas tij kanë nisur të lazdrohen.

“Shumë ishte e rëndësishme fitorja e mbrëmshme pavarësisht që u arrit me shumë,shumë vështirësi”, ka thënë Dallku, i cili e pranon se në ndeshjet e fundit te Kosova ka çaluar loja e mirë sidomos në mesfushë.

“Ekipi po çalon në organizim sidomos në mesfushë dhe kam përshtypjen që lojtarët tanë kanë filluar të lazdrohen në kuptimin e mirë të fjalës sepse kur duhet të shpejtohet loja e mbajmë topin shumë, bëjmë prekje të topit të pa nevojshme”, vlerësoi ish trajneri i Prishtinës, tash trajner te Dukagjini i Klinës.

Përkundër lojës jo shumë të kënaqshme, dje pati edhe elemente të mira dhe sipas ish mbrojtësit kuqezi, Ujkani e Dresheviç duhet përgëzuar për performancën që patën.

“Ujkani dhe Dresheviç me lanë përshtypje shumë të mirë. Ishin të saktë dhe e ndihmuan shumë ekipin, normalisht edhe Muriqi sepse i jep ekipit thellësi dhe e ngrit ekipin përpara”, ka përfunduar Armend Dallku. /