Dukagjini ka marrë një fitore të madhe përballë Gjilanit me rezultat të pastër 2-0.
Klinasit me këto tri pikë kanë bërë një hap të madh drejt mbetjes në elitën e futbollit kosovar, pasi tani i kanë shtuar gjasat vetës për një gjë të tillë.
Trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku ka thënë se i ka pëlqyer çasja e skuadrës së tij në këtë takim, derisa tha se i shfrytëzuan rastet që i patën.
“Në ndeshjet e kaluara kemi pasur raste por nuk kemi pasur realizim. Sot, pavarësisht që kishim edhe raste tjera, në dy raste e goditëm kundërshtarin. Më pëlqen te djemtë se e kanë kuptuar që gjendja është alarmante dhe kanë ditur si të gjinden. Duhet të fokusohemi në punën tonë dhe rezultatet nuk do të mungojnë”, tha Dallku për ‘Art Sport’.
Tutje trajneri vushtrrias i Dukagjinit përgëzoi kapitenin e ekipit Altin Merlaku me dy golat e të cilit Dukagjini mori tri pikët.
“Kjo është madhështia e një kapiteni, sepse në situata të vështira e nxjerrë skuadrën. E kemi biseduar me të këtë gjë tërë kohën. Altinit i paraqiten çdo lojë nga një apo dy raste, por sot i shfrytëzoi”.
“I përshëndes edhe tifozët që ishin të pranishëm, i shpërblyem me lojë të mirë. Vetëm një ekip ishte në fushë dhe nuk lejuam të rrezikohemi. Në këtë moment, rëndësi kanë pikët”, tha Dallku.
Me këtë fitore Dukagjini ngritët në kuotën e 36 pikëve në vendin e shtatë.