Dalin pamjet kur plagoset Millosh Vukojeviq, nga grabitja te “Albi Mall”

Një grabitje me armë ndodhi paraditen e djeshme, afër qendrës tregtare “Albi Mall”, në Veternik.

Si pasojë e të shtënave me armë, dy persona kanë mbetur të plagosur.

IndeksOnline ka mësuar se njëri prej tyre është pjesëtari i sigurimit nga kompania e sigurimit “Istanbul Ozel Guvenlik”, Fahri Ademi, i cili ishte në mbrojtje të furgonit që po transportonte para.

Ndërsa, personi tjetër i plagosur është një nga grabitësit, 25-vjeçari nga Leshaku i Leposaviqit, Millosh Vukojeviq.

Vukojeviqi raportohet të ketë pasur të kaluar kriminale, më saktësisht në kultivimin e narkotikëve.

Me 25 shkurt të vitit të kaluar, Njësia Kundër Narkotikëve të Rajonit Verior, në bashkëpunim me drejtorinë rajonale, kanë bastisur një shtëpi në fshatin Graniçan.

Aty u gjetën u gjetën 23 bimë të dyshuara si kanabis, me gjatësi nga 40 cm deri në 1.85 cm.

“I dyshuari nuk është gjetur në vendin e ngjarjes gjatë kontrollit. Ky person, megjithatë, është ndaluar dhe ndaluar në vendkalimin në Jarinje mbrëmë rreth orës 19:30 teksa po hynte në Kosovë. Atij i është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë”, thuhet në njoftimin zyrtarë nga policia.

Të njëjtat burime kanë mësuar se Millosh Vukojeviq ishte liruar nga burgu para 15 ditëve.

Vukojeviqi, pas plagosjes së djeshme, është duke marrë tretman në QKUK.

Rreth gjendjes së tij shëndetësore, sot për IndeksOnline u deklarua shefi i Emergjencës së QKUK-së, Shaqir Uka.

“Të dy pacientët pas kryerjes së intervenimit kirurgjik, janë sjell për trajtim të mëtejshëm mjekësor në njësinë e mjekimit intensiv. Po vazhdojnë të qëndrojnë dhe më tutje dhe po vazhdojnë të marrin trajtimin mjekësor.

Që të dy pacientët vazhdojnë të qëndrojnë dhe më tej të fjetur me barna, të kyçur për aparatura mjekësore. Vazhdojnë të jenë të monitoruar dhe vazhdojnë të marrin trajtimin me barna sipas nevojës. Gjendja e përgjithshme e tyre vazhdon të jenë e rëndë, pavarësisht se jemi duke u munduar ta stabilizojmë gjendjen e përgjithshme të tyre”, tha Uka./IndeksOnline/