Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, në mbledhjen e këtij komisioni tha se KQZ nuk është ajo që i cakton zgjedhjet, por ajo që i organizon ato në kohën kur do ta pranojë dekretin e Presidentit të vendit, Hashim Thaçi.
Valdete Daka, ka shtuar se janë të gatshëm për organizimin e zgjedhjeve në Komunën e Podujevës kur do që presidenti e cakton datën.
“Nuk mund të caktojmë ne datën për zgjedhje në Podujevë, ne nuk i kemi shtyrë ato por presidenti i Kosovës. Ne jemi të gatshëm për zgjedhje kur do që presidenti cakton datën”, tha Daka në mbledhjen e KQZ-së.
Daka tha se përderisa Organizata Botërore e Shëndetësisë ende e ka të shpallur pandeminë, atëherë nuk mund të kërkojnë rivlerësimin e gjendjes nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë.
Tutje Daka ka shtuar se edhe pas caktimit të datës së zgjedhjeve, KQZ do të kërkojë komente dhe rekomandime nga Instituti i Shëndetësisë Publike e Kosovës rreth gjendjes me COVID-19 në Kosovë dhe në vendin ku do të mbahen zgjedhjet.
Ndryshe, zgjedhjet në komunën e Podujevës ishin planifikuar të mbahen më 15 mars, por që presidenti Thaçi i kishte shtyrë ato për shkak të pandemisë së COVID-19.