Të paktën krahasuar me prillin e vitit 2023, raporti i fundit i UNDP-së tregon se gjatë nëntorit në një anketë të realizuar, është rritur numri i qytetarëve serbë që ndjehen të sigurt gjatë lëvizjes në rrugët e Kosovës.
Në komunat veriore në dhjetëra raste janë djegur vetura për qëllime të ndryshme. Në disa periudha për shkak të kundërshtimit të targave “RKS”, e me raste për pa-dëgjueshmërinë e ndonjë politikani lokal ndaj politikave të Beogradit.
Rasti i fundit për arsye që nuk dihen ka ndodhur sot në orët e mëngjesit në Leposaviq. Një veturë e bardhë e tipit Toyota me targa të Rashkës rreth orës 04:00 është djegur, nga persona ende të pa identifikuar. Policia ka njoftuar se dëme materiale kishin pësuar edhe dy vetura të tjera që kishin qenë afër kësaj vetureje.
Pikërisht sigurinë e serbëve në Kosovë, programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) e ka përfshirë në një hulumtim të publikuar të mërkurën.
Hulumtimi tregon të dhëna pozitive nga të anketuarit serbë për perceptimin e tyre për sigurinë personale kur janë jashtë shtëpive.
Serbët e anketuar gjatë nëntorit të 2023 tregojnë se krahasuar me muajin prill ndjehen më të sigurt.
Në nëntor 37.6% e serbëve të anketuar kanë deklaruar se ndjehen të sigurt në Kosovë. Ndërkohë gjatë prillit kjo shifër ishte më e ulët, 33.8%.
Për shembull në nëntor të 2022 raport i UNDP-së, tregonte se vetëm 15.3% e serbëve janë deklaruar se ndjehen të sigurt në Kosovë. Ndërkohë para prillit shifra e serbëve që ndjehen të sigurt i afrohet 50%-shit.
Njohësit e fushës së sigurisë mendojnë se ky ndryshim pozitiv vjen edhe për shkak të ndryshimeve në terren, sidomos në pjesën veriore.
“Tregon një rritje të besueshmërisë në institucionet e sigurisë së Kosovës, përgjithësisht është një lëvizje e lirë, edhe kjo e fundit që KFOR-i ka vlerësuar që gjendja e sigurisë në veri është e mirë edhe ka vendosur tërheqjen nga objektet edhe komunave që ka siguru deri tash edhe janë vendosë policia e Kosovës. Mendoj që të gjitha këto tregojnë rritjen e besueshmërisë”, ka deklaruar Nuredin Ibishi, njohës i fushës së sigurisë.
Ibishi thotë se institucionet e Kosovës duhet të kenë edhe fushata informimi për çdo veprim që ndërmarrin, duke e shpjeguar në gjuhën e secilit komunitet.