Një tërmet të martën herët në mëngjes me fuqi prej 6.3 ballësh të rihterit shkatërroi shumë shtëpi e objekte banimi në qytetin bregdetar të Shqipërisë, në Durrës.
Deri më tani, janë nxjerrë nga rrënojat e ndërtesave 42 persona të vdekur nga tërmeti ndërsa mbi 600 të tjerë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Edhe në këto momente kërkimet për persona nën gërmadha po vazhdojnë në disa lokacione të ndryshme në Durrës e Thumanë.
Por, cila është cilësia e ndërtimeve në Kosovë?
Rajoni i Gjilanit dhe i Istogut llogariten si zonat më të ndjeshme ndaj tërmeteve brenda territorit të Kosovës.
Në rast të ndonjë tërmeti, siç ishte ai i para dy ditëve në Shqipëri, Besian Sinani, njohës i strukturave dhe projektues ndërtimesh, thotë se në Kosovë shtëpitë dhe ndërtesat janë më të qëndrueshme sesa në shtetin shqiptar.
Megjithatë, sipas tij, kjo nuk do të thotë se objektet mund të jenë rezistente ndaj tërmeteve të mëdha.
“Cilësia e ndërtimeve në Kosovë, në përgjithësi gjendja është më mirë sa ajo në Shqipëri, po flasim për ndërtimet formale, ndërsa se a mundet t`i përballojë një nxitimi të tillë si ai në Shqipëri ajo varet nga objektet, ndërsa nuk mund të flasim në formë gjenerale”, thotë Sinani, i cili ligjëron edhe lëndët nga fusha e ndërtimtarisë në njërin prej kolegjeve në Kosovë.
Në mënyrë që të dihet saktë gjendja e objekteve dhe ndërtimeve në Kosovë, ai propozon që të monitorohen ato.
“Mirëpo, neve na duhet që të bëjmë sa më shpejt që është e mundur një investigim të objekteve dhe të përcaktohet përformanca e tyre dhe më pastaj në bazë të kësaj mundemi të konkludojmë për shëndetin e objekteve dhe kapacitetin bartës te tyre”, deklaron njohësi i strukturave dhe projektuesi i tyre.
Lufta e fundit në Kosovë shkatërroi pothuajse gjithçka. Pas vitit 1999 filloi ndërtimi i shtëpive e ndërtesave të banimit. Sot, pas njëzet vitesh, në Kosovë sipas Agjencisë së Statistikave numërojnë mbi 400 mijë banesa.
Nëse janë ndjekur disa kushte për ndërtim, Sinani thotë se ato i përballojnë tërmetet e mundshme që mund të ndodhin në vendin tonë.
“Ndërtimet e pasluftës të cilat kanë një projekt, kanë pasur udhëheqje profesionale nga njerëz kompetent, organ mbikëqyrës të punimeve, kontrollimin e cilësisë së materialeve dhe kanë pranuar certifikatë të përdorimit duke i respektuar të gjitha ato që u thanë më lart atëherë mundemi të konkludojmë se janë të sigurta dhe kanë kapacitet bartës sipas hartave sizmike të cilat na i ofron instituti sizmologjik i Kosovës”, thotë ai.
“Eurocode 8” konsiderohet si Kushtetuta e ndërtimtarisë. Ky kod është një standard i cili aplikohet në Evropë, në vendet të cilat janë të ndjeshme ndaj tërmeteve.
Edhe Kosova hy në zonën të cilën mund të preket në lëkundjet e tokës.
Sipas Sinanit, janë disa faza të cilat duhet të ndiqen gjatë ndërtimit të objekteve duke aplikuar “Eurocode 8”.
“Struktura duhet të projektohet dhe ndërtohet në formë të tillë që të përballojë veprimin sizmik projektues pa pësuarkolaps lokal apo global, duke ruajtur tërësinë e saj strukturore si dhe një kapacitet bartës të ngarkesave pas veprimeve sizmike. Veprimi projektues sizmik shprehet nëpërmjet një probabilitet reference kapërcimi të tij, në 50 vjet”, thotë njohësi i ndërtimtarisë.
“Struktura duhet të projektohet dhe ndërtohen që një veprim sizmik- i cili kundrejt veprimit sizmik projektues, ta përballojë pa pësuar dëmtime dhe kufizime përkatëse në përdorim”, thotë tutje ai.
“Të gjithë projektuesit e strukturave sot në Kosovë i respektojnë këto kritere e lartpërmendura mirëpo objektet duhet edhe te ndërtohen sipas projekteve, prandaj duhet te ketë monitorim te implementimit”, sugjeron Sinani.
Sipas tij, përgjegjës për një projekt të ndërtimit është vetë projektuesi, por kur ndërtimi përfundohet dhe objekti merr formën e bëhet i gatshëm për banim, Sinani thotë se përgjegjësia kalon te organet shtetërore.
“Për produktin final, pra që është objekti janë organet lokale dhe qendrore(përgjegjëse), sepse ato e kanë obligim që përmes strukturave të tyre të sigurojnë cilësinë e objekteve”, nënvizon ai.
“Të gjitha objektet në Kosovë të cilat nuk i kanë përfillur hapat për te cilët treguam me lart janë të rrezikshme dhe janë të predispozuara që të parat të dështojnë”, thotë njohësi i ndërtimtarisë, Besian Sinani.