Cigareshitësi rrëfen para kamerës se si e tallën dhe ia dogjën duart në kafene – thotë se për rastin sot foli edhe me Policinë

Shitësi i cigareve, Faton Gashi, i cili ndryshe njihet me pseudonimn Bita, është deklaruar sot për rastin ku atij iu lyen duart me dezinfektues dhe iu vu flaka.

Ai ka thënë se rastin ka ndodhur më 31 tetor të këtij viti dhe video është bërë me dëshirën e tij për të barë famë dhe se nuk ka pësuar lëndime trupore nga rasti.

Për televizionin Klan Kosova, Bita tha se ka folur edhe me Policinë, të cilëve u ka thënë se personat e përfshirë në video i ka shokë qe një kohë të gjatë dhe rri çdo ditë me të.

Ndërkohë pronari i kafenesë “Oh my Caffe”, Dardan Bunjaku, ka thënë për Klanin se është bë një keqkuptim i madh, sepse video është bërë me dëshirën e Bitës në formë shakaje.

“Video u bo madje me telefonin e tij dhe është bo si një lloj shakaje. Vita rri në këtë lokal natë e ditë, këtu han, këtu pin, është sikur i shpisë edhe të gjithë e dinë që na e kemi një raport shumë të mirë me të dhe i ndihmojmë vazhdimisht.”, ka thënë Bunjaku.

Ai ka thënë po ashtu se pas publikimit të videos, i kanë shkruajtur shumë persona dhe e kanë sharë, por që thotë se ai vetë është kundër këtij gjesti dhe nuk ka qenë pjesë e tij.

“Jena kanë në mbyllje të lokalit. Ka qenë një tavolinë e fundit, unë nuk kom qenë aty, kom qenë me një tavolinë tjetër, por pasi që ka ndodhur rasti më ka tregu Vita që e bonëm një shaka, e bonëm një video bile bojke hajgare ‘kom m’u bo i famshëm pas kësaj videojë’. Po e kanë keqinterpretu njerëzit se unë vetë personalisht jom kundër këtyne gjerave se më kanë shajtë e më kanë shkrujtë plot, po ata nuk e dinë që une Vitën e kom si të shpisë se ky qëtu rrin, qëtu han e krejt.”, shtoi tutje ai.

Ndërkohë nga Policia e Kosovës kanë thënë se janë intervistuar 2 personat e përfshirë në ngjarje dhe viktima.

“Sa i përket ngjarjes në fjalë, policia është duke e trajtuar në koordinim të ngushtë me prokurorinë. Aktualisht personat e përfshirë më këtë ngjarje janë duke u intervistuar. Pas përfundimit të fazës fillestare të hetimit , do të njoftoheni me detaje.”, tha zëdhënësja Flora Ahmeti për Reporterin.

Ballkani.info ka siguruar një video të momentit kur një cigarexhiu të njohur në Prishtinë, iu lyen duart me një alkool të djegshëm dhe iu vu zjarri.