Suspendimi i policit Amir Hoxha pasi foli dhe kritikoi publikisht për punën e shpenzimeve të deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka nxitur debat dhe reagime të mëdha në publik.
Vetë Hoxha pretendon se suspendimi për 3 ditë i ka ardhur me arsyetimin për shkelje disciplinore dhe kryerje të veprës penale.
“Sapo mora njoftimin per suspendim të përkohshëm timin në afat prej 3 ditesh lidhur me një postim qe e kam bërë me datën 04.02.2022 ne lidhje me pakënaqësinë time per mospagesën e shujtave për policët ne kryerje të detyrës e qe ligjërisht na takojnë . Suspendimi vjen me pretekstin se unë kam kryer veper penale apo shkelje të rëndë disciplinore , e që me sa dij unë me njohurinë time si jurist i diplomuar në Universitetin e Prishtinës ” fjala e lire apo shprehja e nje paknaqesie e cila eshte e bazuar ne ligj” nuk paraqet vepër penale”, ka njoftuar polici Hoxha.
Por çfarë thotë Ligji për Policinë e Kosovës dhe çfarë iu ndalohet policëve?
Në Nenin 49, pika 1.5, thuhet se aktivitetet që formojnë konflikt interesi janë edhe “dhënia e deklaratave publike apo komenteve lidhur me punën e policisë, përveç në raste kur lejohet nga eprori me autorizim të duhur”.
Megjithatë siç thotë Neni 49, lista e gjërave që iu ndalohen policëve mund të jetë edhe më e gjerë.
Në ndërkohë Inspektorati Policor i Kosovës ka dal sot me një komunikatë për media e ku kanë thënë se ata nuk kanë dhënë rekomandim për suspendimin e policit Hoxha.
Në reagimin e IPK-së thuhet se ai është suspenduar nga Policia e Kosovës.
“Duke ju referuar kërkesave të shumta ju njoftojmë se Inspektorati Policor i Kosovës nuk është duke e trajtuar këtë rast dhe nuk ka bërë ndonjë rekomandim për suspendim dhe se ky suspendim është bërë nga Policia e Kosovës. Bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së hetuesit e IPK-së hetojnë të gjitha veprat penale të kryera nga punonjësit e Policisë së Kosovës, pa dallim grade dhe pozite gjatë ushtrimit së detyrës ose jashtë saj”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, Sindikata e Policisë së Kosovës tashmë është duke mbledhur informacione dhe fakte lidhur me suspendimin prej tri ditësh të policit Amir Hoxha.
Kryetari i kësaj sindikate, Imer Zeqiri ka thënë për Gazetën Express se ende nuk kanë kontaktuar me zyrtarin policor për të ditur se kush e ka suspenduar atë.
“Jemi duke i grumbulluar disa informacione të sakta. Ende nuk kemi arritur që të kontaktojmë me kolegun dhe të shohim se nga i ka ardhur suspendimi dhe jemi duke u konsultuar me Këshillin Drejtues të Sindikatës”, ka thënë Zeqiri.
Ai tha se për sindikatën është shqetësuese çdo shkelje e të drejtave të zyrtarëve policorë.
“Është shqetësuese çdo shkelje e të drejtave të zyrtarëve policor. Sindikata është e shqetësuar. Duhet që t’i grumbullojmë disa gjëra që të dimë arsyet pse ka ndodhur suspendimi. Shqetësim është, ekziston. Ne do të jemi jo vetëm në këtë rast por në të gjitha rastet ku konsiderojmë dhe konstatojmë se u është bërë e padrejtë policëve, do të jemi në monitorim të rastit”, ka thënë ai për Express.