Kryeministri Albin Kurti takimin me sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken në Uashington e ka quajtur të dobishëm për raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.
Në një deklarim për media pas takimit me sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken, kryeministri Kurti tha se Kosova është një rrëfim suksesi.
“Takimi ishte shumë i dobishëm për raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së. Ne treguam se si Kosova është rrëfim suksesi, së pari i punës së popullit dhe ndërhyrjes së NATO-s për ta ndalur gjenocidin në Kosovë dhe së dyti storie suksesi zhvillimi i demokracisë dhe ekonomisë. Shteti jo i madh i Kosovës është shembull i madh se ekonomia dhe demokracia cilësore shkojnë bashkë. Kërkuam shtimin e investimeve amerikane në Kosovë dhe rritjen e shkëmbimit tregtar”, ka thënë Kurti.
Ndërsa, presidentja Osmani ka thënë se qëndrimi amerikan sa i përket dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel është që ky proces të përfundojë me njohje reciproke, gjë e cila u konfirmua edhe gjatë takimit me sekretarin Blinken.
“Kosova nuk ka pasur partner më të fuqishëm se sa SHBA. Pa përkrahjen e SHBA-së nuk kemi mund të kemi sukses në organizatat ndërkombëtare. Kemi biseduar për mënyrën se si Kosova fuqizohet në arenën ndërkombëtare. Diskutuam se sa e rëndësishme është që Kosova të jetë në NATO. Diskutuam edhe për rolin konstruktiv që Kosova po luan në dialogun me Serbinë. SHBA si partner që mbështesin pavarësinë dhe integritetin territorial gjithmonë, kanë qenë të zëshëm në këtë drejtim. Sikurse Biden, edhe Blinken kanë qenë të qartë që procesi i dialogut të përqendrohet në njohje reciproke”, ka thënë Osmani.
Ndryshe, takimi ndërmjet sekretarit amerikan Antony Blinken me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti është i pari i këtij formati në Departamentin e Shtetit.
Ndërkohë, të mërkurën, krerët e shtetit do të marrin pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Programit Kompakt me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit-MMC.