Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, i cili mori përgjegjësinë për sulmin në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, kur mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe më pas u eliminuan tre pjesëtarë të grupit terrorist nuk është ndaluar me vendim nga Gjykata, por atij i është ndaluar të largohet nga territori i Serbisë dhe të hyjë në Kosovë.
Është simptomatike që Prokuroria e Lartë Publike ka kërkuar paraburgim vetëm mbi një bazë – rrezikun e arratisjes, gjë që nuk është një situatë e zakonshme kur institucioni i përmendur realisht përpiqet ta mbajë prapa hekurave dikë, në këtë rast një person që përballet me akuza për krime të rënda, shkruan gazeta serbe, Nova.
Nga ana tjetër, gjykata e ka arsyetuar vendimin për lirimin e tij duke thënë se Radoiçiqit i është ndaluar të largohet nga Serbia, si dhe të shkojë në Kosovë.
Nuk duhet harruar se Radoiçiq është një person kundër të cilit tashmë disa herë janë lëshuar fletarreste, njëra prej të cilave për pjesëmarrje në vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq, ndërsa tjetra për rastin “Brezovica” është ende në fuqi. Urdhëresat janë lëshuar pikërisht për shkak se ai nuk ishte në dispozicion të autoriteteve hetimore.
E megjithatë edhe ky nuk ishte alarm për gjykatën serbe që të urdhëronte paraburgimin Radoiçiqit.
Avokati serb, Borivoje Boroviq tha se një vendim i tillë gjyqësor ishte i pritshëm.
“E gjithë sjellja e autoriteteve politike dhe e gjyqësorit para këtij vendimi flet për faktin se ky është thjesht një formalitet për ta kënaqur opinionin ndërkombëtar. Sigurisht që nuk ka kushte që ai të ekstradohet në Kosovë dhe e gjithë kjo është vazhdimësi e lojës së autoriteteve politike me jetën e serbëve në Kosovë dhe me statusin e Serbisë në mjedisin ndërkombëtar”, thotë Boroviq.
Ai gjithashtu shton se Serbia sigurisht që në asnjë rrethanë nuk do ta ekstradojë Radoiçiqin në Kosovë.