Këshilli Shtetëror i Cilësisë të hënën ka marrë vendim për mosakreditimin e tri universiteteve publike rajonale.
“Haxhi Zeka”, “Isa Boletini” dhe “Ukshin Hoti” nuk do të akreditohen për vitin akademik 2019/2020, shkruan Gazeta inFokus.
Dukagjin Zeka, anëtar në KSHC për Gazetën inFokus ka bërë të ditur se këto universitete nuk janë mbyllur, por këtë vit nuk do të regjistrohen student të rinj.
“Këshilli ka marrë vendim, edhe pse dy anëtar nuk kanë qenë pjesë e votimit, aprovimin e raporteve të ekspertëve ndërkombëtar. Që do të thotë nuk kanë akreditim për këtë vit sepse kështu kanë vlerësuar niveli ndërkombëtar dhe ashtu do të mbetët”, ka thënë ai për Gazetën inFokus.
Sqarim të njejtë ka dhënë edhe Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim.
Në reagimin e tyre thuhet se pas këtij viti këto universitete mund të aplikojnë përsëri vitin e ardhshëm për riakreditim.
“ORCA si organizatë monitoruese e KShC-së sqaron mediet dhe publikun se Universitetet e Prizrenit, Pejës dhe Mitrovicës nuk mbyllen mirëpo atyre nuk u lejohet regjistrimi i studentëve për këtë vit, ndërkohë që ato mund të aplikojnë sërish vitin e ardhshëm”, thuhet në sqarimin e ORCA-s.
Ndërsa, Drejtori Ekzekutiv i Qendrës për Arsim, Dukagjin Popovci për Gazetën inFokus ka thënë se pas vlersimeve të ekspertëve ndërkombëtar për arsim, KSHC ka zbatuar rekomandimet e tyre.
“Nuk ma merr mendja që është agjendë e fshehur prapë se prapë sa mundem unë me kuptu është një zbatim rigoroz i kritereve. Tash kjo neve po na befason sepse kështu me vite jemi mësuar mos mu zbatu kriteret tash është normal që njerëzit po reagojnë ndaj kësaj” ka thënë Popovci.
Kujtojmë se ky vendim i Këshillit Shtëror për Cilësi për mos akreditimin e programeve të këtyre universiteteve erdhi pas rekomandimeve të ekspertve ndërkombëtar të cilët konsideruan se asnjëra nga to nuk i përmbush kriteret e akreditimit.
Ndërsa Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka thënë se ky vendim nga ana e KSHC-s është në kundërshtim me vendimin e datës 12 korrik 2019, sipas të cilit, Këshilli nuk duhet të marrë asnjë vendim pa pasur një qartësim në lidhje me çështjet që janë ngritur nga Agjencia Antikorrupsion.
KShC po ashtu nuk u ka dhënë akreditim disa institucioneve private si FAMA, Iliria, Tempulli dhe Kosova Art Academy.
Kurse Kolegji Biznesi dhe Juridica nuk kanë aplikuar fare për akreditim./Gazeta