Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në ceremoninë e certifikimit të ushtarëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Kurti gjatë fjalimit të tij tha se grupi prej 325 ushtarëve që ka diplomuar sot, është më i madhi në FSK
“Jemi bashkë këtu për të kurorëzuar suksesin tuaj të treguar në muajt dhe javët në trajnimin bazik, grupi i juaj është shumë veçantë, sepse jeni grupi më i madh që ka diplomuar ndonjëherë në ushtrinë tonë, 325”, ka thënë Kurti.
Shefi i Qeverisë është shprehur se gjatë qeverisjes së tij e kanë dëshmuar përkrahjen e pakursyer ndaj Ushtrisë.
“Nga sot ju filloni detyrën fisnike po aq edhe sfiduese, për ti shërbyer atdheut në mbrojte dhe ruajte së paqes. U zotuam se ushtria do ta ketë përkrahjen e pakursyer të qeverisë, këtë e kemi dëshmuar çdo vit të qeverisjes sonë, fillimisht në vitin 2021, e ngritëm buxhetin për herë të parë mbi 100 milionë euro. Nga ai vit buxheti për ushtri ka qenë për herë e më i madh e gjithmonë në ngritje sivjet ai ishte mbi 200 milionë euro. Sipas kriterit të shteteve anëtare të NATO-s”, ka thënë Kurti.
“Ndërkaq me ju sot po shënojmë sot pothuajse dyfishimin e numrit të përgjithshëm të ushtrisë. Teksa kemi katërfishuar trajnimet e ushtarëve në raport me qeverisjet e kaluara”.
“Ushtria po rritet dhe do të zhvillohet në vazhdimësi me të rinj e të reja, si ju që duan t’i shërbejnë atdheut pikërisht si shqiponja sypatrembur që qëndisur si emblemë keni në krahë e që me nder dhe krenari bartin veshur uniformën e Forcës së Sigurisë së Kosovës”.
Kurti në fund, theksoi se së bashku do të rrugëtojnë drejt shërbimit në aleancën më të madhe ushtarake NATO.