Shkruan: Prend Buzhala
DITËT E PIKËLLIMIT RËNDOJNË, LAJM I RËNDË
PËR VENDLINDJEN TIME: SHKOI NË AMSHIM MUJË GASHI
Ditët e pikëllimit bëhen gjithnjë e më të zymta, gjithnjë rëndojnë e rëndojnë nga humbjet e pafund e nga dhimbja.
Katundi im, Çabiqi, sot pati edhe një lajm të rëndë: vdes (nga pandemia), Mujë Gashi, në moshën 62-vjeçare.
Shumë dekada ai ishte kryetar i fshatit tonë. Ishte drejtues i yni, i lëvizjeve politike para luftës, veprimtar aktiv në luftë.
Të rrallë janë njerëzit si Muja që me përkushtim punojnë e veprojnë për të mirën e përgjithshme: një jetë të tërë. Familjar i jashtëzakonshëm, dashamir e veprimtar i madh e i gatshëm për secilën çështje me interes; ai do të na mungojë të trokasë për projekte në dyert e të tjerëve.
Do të na mungojë ta ngrejë dollinë në festat e përbashkëta, për bajram e për pashkë.
Do të na mungojë të na presë në tubime, në ndeja e në gazmende familjare, kur oda e tij shite edhe vend tubimesh, kuvendesh, veprimtarish… aty ku kanë qenë pothuajse nga kreu i Kosovës e deri te njerëzit e thjeshtë.
Do të na mungojë në organizimin e Sofrës së Çabiqit me rastin e Festivalit Folklorit “I këndojmë lirisë” kushtuar komandantit Mujë Krasniqi (i cili ishte nga fshati ynë).
Do të na mungojë me bisedat, me kallëzimet e përjetimet, njeriu që me të gjithë ishte i dashur, i afërt me secilin. Atij nuk i kthehej fjala.
Ai ishte sinonim i më të mirës për gjithçka që pati dhe ka katundi ynë: traditë nga të parët tanë.
Të falënderoj, Mujë i shtrenjtë, për gjithçka që ke bërë, edhe në kohë të vështira, edhe për nderimin e pafund ndaj meje, kur më ke thirrë gjithmonë vetëm “profesori Pren”.
Nuk do ta harrojmë këtë mirësi tënden.
I përjetshëm qoftë kujtimi për ty.
Lavdi jetës e veprës sate!