Ambasadori britanik Neil Holland, shef i misionit të OSBE-së në Serbi, ka thënë se Beogradi zyrtar duhet t’i lirojë menjëherë tre policët e Kosovës të rrëmbyer më 14 qershor nga ana e forcave speciale serbe në brendësi të territorit të Republikës së Kosovës.
Në raportin e tij për muajin qershor, Holland thotë po ashtu se dy vendet, Kosova dhe Serbia, duhet të ulin tensionet menjëherë.
“Britania e Madhe është shumë e vetëdijshme për rritjen e fundit të tensioneve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Mbretëria e Bashkuar bën thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të ndaluar më 14 qershor. Qeveritë e Serbisë dhe Kosovës duhet të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të shmangin veprimet e njëanshme dhe të ndërmarrin hapa drejt de-përshkallëzimit menjëherë”, ka thënë Holland në raportin e tij.
Tutje, ai tha se Britania e Madhe i ka përsëritur thirrjet ndaj Qeverisë së Kosovës që të sigurojë që kryetarët e zgjedhur të komunave t’i kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative dhe që njësitë e Policisë Speciale të tërhiqen nga afërsia e ndërtesave komunale.
Po ashtu, ai deklaroi se Britania e Madhe kërkon që “zgjedhjet e reja, gjithëpërfshirëse duhet të shpallen sa më shpejt që të jetë e mundur – në të cilat presim dhe inkurajojmë serbët e Kosovës të marrin pjesë”.
“Ne presim që Kosova dhe Serbia të riangazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, dhe në veçanti të fillojnë punën pa vonesa të mëtejshme për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, potencoi ambasadori britanik, Neil Holland