Qeveria e Britanisë së Madhe ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët u rrëmbyen nga forcat serbe në veri të vendit,
Përmes një komunikate për media, Qeveria britanike i është referuar rrëmbimit si arrestim, teksa ka bërë thirrje për përmbajtje te Kosova dhe Serbia.
“Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve kosovarë të arrestuar më 14 qershor. I Bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen maksimalisht, të evitojnë masat e njëanshme dhe të marrin veprime të menjëhershme për shtensionim”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu është përsëritur thirrja ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që kryetarët e katër komunave të banuara me shumicë serbe në veri të vendit, ta ushtrojnë detyrën nga objektet alternative.
“Ne i përsërisim thirrjet ndaj kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij që të sigurojë që kryetarët e zgjedhur të ushtrojnë detyrat e tyre nga lokacione alternative jashtë objekteve të komunave dhe që njësitet speciale të policisë të tërhiqen nga ndërtesat e komunave”, thuhet më tej në reagimin e Britanisë.
Qeveria e Britanisë së Madhe ka kërkuar që zgjedhjet e reja gjithëpërfshirëse të shpallen sa më shpejt që të jetë e mundur dhe pa vonesa të fillohet me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Zgjedhje të reja gjithëpërfshirëse të shpallen sa më shpejt të jetë e mundur. Ne presim dhe inkurajojmë serbët e Kosovës të marrin pjesë në ato zgjedhje. Ne presim që Kosova dhe Serbia të angazhohen menjëherë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe në veçanti të fillohet, pa vonesa të mëtutjeshme, me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në reagimin Qeverisë së Britanisë.