Brenda shtatë muajve humbën jetën 14 këmbësorë të aksidentuar nga automjetet

Në Komoran, në vendin e quajtur “Kroi i Mbretit”, një këmbësore humbi jetën pasi u godit nga vetura, të shtunën pasdite.

Rastet tragjike si ky, tashmë sipas banorëve në këtë anë janë bërë të shpeshta.

Ata kanë treguar për rastin teksa kanë shprehur shqetësim për numrin e aksidenteve në magjistralen Prishtinë-Pejë.

“Rasti ka qene një grua e cila kishte qene mysafir. Ka ndodh diku rreth orës 16:00. Ne këtë ane ndodhin shume aksidente”, thotë Hajriz Obria, banor në fshatin Korroticë e Epërme të Drenasit.

Qytetarët kanë kërkuar kujdes më këtë rast si nga këmbësorët e po ashtu edhe nga shoferët.

“Duhet të kenë kujdes edhe këmbësoret sepse këtu janë edhe mbikalimet. Po ashtu edhe shoferet duhet me pas kujdes me shpejtësi”, thotë Istref Javori, një qytetar tjetër.

Në këtë komunë gjatë ditës së sotme u raportua edhe për një aksident trafiku mes trenit dhe një veture ku si pasojë e aksidentit lëndime ka pësuar një person.

Sipas Policisë së Kosovë, për periudhën janar-korrik 2022 në aksidente të trafikut rrugor jetën e kanë humbur katërmbëdhjetë këmbësorë, por numri i këmbësorëve është më i vogël për 17.6 % krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, raporton televizioni publik.